Deputeti i Besës, i krahut të Bilall Kasamit, Fadil Zendeli sot në Komisionin për zgjedhje dhe emërimeve ka mbështetur kandidaturat e pushtetit për plotësimin e vendeve të zbrazura në Gjykatën kushtetuese dhe në Këshillin e prokurorëve. Deputeti Zendeli ka mbështetur kandidaturën e Avokatit të shtetit, Naser Ajdarit për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, kurse para disa kohësh e kishte refuzuar kandidaturën e Ajdarit si anëtarë në Këshillin e Prokurorëve duke arsyetuar se kuadro të tilla mund të partizojnë institucionet e drejtësisë.
Ndryshimin e qëndrimit brenda dy javësh lidhur me zgjedhjen e Ajdarin, deputeti Zendeli e sqaron me frikën se BDI do ta sulmojë se nuk voton zgjedhjen e një kandidati shqiptar në Gjykatën kushtetuese.
“Nëse analizohet biografia e kandidati Naser Ajdari, vërehet se ai ndër vite ka qenë i afërt më Bashkimin Demokratik për Integrim. Ajdari nuk është kuadro më i kualifikuar për këtë post, por e kam votuar vetëm pse është shqiptar”, thotë Zendeli.
Vlen të theksohet se Zendeli nuk ka votuar vetëm nominimin e Ajdarit si gjykatës në Gjykatën kushtetuese, por edhe dy propozimet tjera për anëtarë në Këshillin e prokurorëve të përkatësisë maqedonase, Angel Solevin, dhe Angel Ilievskin.
Për nominimin e Ajdarit në Gjykatën kushtetuese dhe të Solevit dhe Ilievskit si kandidat për anëtarë në Këshillin e prokurorëve, ka reaguar opozita maqedonase.
VMRO-DPMNE thotë se votimi i sotëm në komisionin parlamentar është edhe një provë se Talat Xhaferi dhe shumica parlamentare nuk tentojnë të kenë Parlament të fuqishëm dhe të pavarur, por thjesht duan ta shndërrojnë Parlamentin në një makineri që zbaton politikat e dhe pazaret e dëmshme të partive në pushtet.
“LSDM-ja dhe BDI-ja dhe Talat Xhaferi janë të vetëdijshëm se reformat nuk zbatohen në këtë mënyrë. Kjo mënyrë e punës dhe të funksionimit është në kundërshtim me vërejtjet dhe konkluzionet e raportit Pribe-së, të cilat pushteti i përmendin çdo ditë”, – thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE.
Në seancën e sotme të Komisionit për zgjedhje dhe emërime deputeti Zendeli, jo vetëm që ka votuar propozimet e shumicës parlamentare, por edhe ka mundësuar kuorum për punën e Komisionit.
Almakos.com