Deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, në paraqitjen e tij procedurale, duke iu përgjigjur akuzave të VMRO-DPMNE-së për platformën shqiptare, deklaroi se në programën e ardhshme qeveritare nuk ekziston asnjë platformë e tillë duke numëruar madje në mënyrë decide edhe disa nga pikat e platformës që kanë të bëjnë me shqiptarët.
“Kjo është programa Qeveritare, hyni lexojeni. Nëse gjeni gjuhën shqipe në uniforma, gjuhën shqipe në denarë, ndryshim steme, flamuri, himni, nëse gjeni rrezolutë për gjenocid na thoni. Nuk ka dicka të tillë. Nuk ka platformë. Dhe mirë më ma kujtuat në fillim, NO PLATFORMA”, tha Tuntev.
Pas tij me ndërhyrje procedurale ndërhyri deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dimitar Stevananxhija i cili përsëri u thirr në fjalimet e deputetëve të BDI-së të mbajtura dje dhe sot ku ata përmendnin deklaratën e partive shqiptare. Ai pyeti deputetin e LSDM-së kush gënjen dhe a po gënjejnë deputetët e BDI-së.
Por pas diskutimit të tij asnjë nga deputetët e BDI-së nuk u paraqit për diskutim dhe në ora 18:00 përfundoi debati parlamentar pa përgjigje nga deputetët e partisë së Ahmetit.