Deputetët u kthehen seancave plenare

Deputetët u kthehen seancave plenare

Deputetët ju rikthyen diskutimit mbi ligjet që janë në procedurë parlamentare në katër seanca të nisura, disa prej në muajin nëntor. Seancat u caktuan menjëherë pasi partitë e shumicës kishin deklaruar se kanë konfirmuar qëndrueshmërinë e koalicionit. Megjithatë, për VMRO-DPMNE-në, është e qartë se problemi brenda shumicës nuk është tejkaluar, bazuar në numrin e pamjaftueshëm të deputetëve të pranishëm të shumicës në Kuvend.

– Advertisment –

“Shumica parlamentare akoma ka probleme në radhët e saj dhe këtë mundemi ta shohim edhe nga rreth 50 deputetë të pranishëm nga shumica. Njëra nga arsyet për të cilat sot është caktuar vazhdim i katër seancave është që t’i tregohet opinionit se Kuvendi punon por në fakt ka nga 1 ose 2 pika (në rend dite) që i plotësojnë kushtet për t’u shqyrtuar në seancën e sotme plenare”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.   

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se është përgjegjësi e shumicës të sigurojë vijimësinë e punës së Kuvendit.

“Është fakt se shumica parlamentare nuk ka kapacitet dhe gati se një muaj nuk kishim mbledhje. Nuk ka kapacitet të mbledhë 61 deputetë për mbajtjen e mbledhjeve sepse opozita nuk e ka për detyrë t’i sigurojë kuorum shumicës parlamentare. Normalisht, opozita ka qenë shumë e përgjegjshme dhe shumë parimore për ligjet me rëndësi për qytetarët”, theksoi Halil Snopçe, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Hapësira kohore pa seanca plenare, sipas kryeparlamentarit Talat Xhaferi ka qenë mundësi që komisionet parlamentare të kryejnë punën e tyre. Xhaferi thotë se një pjesë e tyre i kanë tejkaluar afatet e parapara me Rregullore për shqyrtimin e nismave ligjore.

“Këtë periudhë që s’kam caktuar seanca plenare e kam lënë për kohë kur komisionet të munden të punojnë dhe obligimet t’i kryejnë në afatet e duhura edhe pse janë tejkaluar të gjitha afatet e punës së komisioneve. Por, nuk është ajo më temë diskutimi. Ne vazhdojmë me punë”, pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Në rend dite në seancat 21, 22, 25 dhe 26 janë disa nisma të cilat opinioni pothuajse i kishte harruar, si nisma e opozitës për formimin e Komisionit për mbrojtje dhe menaxhim me pandeminë ose epideminë i cili do të zëvendësonte Komisionin për Sëmundje Ngjitëse, meqë komisioni ekzistues nuk gëzon besimin e opozitës. Rëndësia e shqyrtimit të kësaj pike për momentin është zbehur duke qenë se roli i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është reduktuar me fillimin e vaksinimit. Po në këto seanca është edhe nisma e kryeparlamentarit Talat Xhaferi për ndryshimin e Rregullores dhe për krijimin e mundësisë për debat dhe votim “online” të deputetëve që kanë vendim për izolim. Grupet parlamentare prej kohësh nuk kanë raportuar mungesë deputetësh për shkak të virusit.

Fatlume Dervishi