Ditëve në vijim pritet që deputetët e koalicionit VLEN të dorëzojnë iniciativë në Kuvend, për mbajtjen e debatit mbikëqyrës lidhur me dyshimet për furnizim me mazut kancerogjen, shkruan TV21. Për këtë rast Policia dhe Prokuroria realizuan një aksion të përbashkët, siç njihet në opinion si rasti “Mazuti”, ku rreth 13 persona dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 167 milionë euro, gjatë furnizimit me mazut që dyshohet se është kancerogjen, e që ka përfunduar në TEC “Negotinë”.
Në mesin e të dyshuarve është edhe ish drejtori i EMV-së, V.K., i cili është në arrati, pronari i kompanisë “RKM”, R.K. dhe pronari i “Pucko Petrol”, A.J., E.S. dhe një ish-drejtori tjetër i EMV-së.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thonë se Jahoski akuzohet vetëm për larje parash ndërsa Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sullkoski, pronarë të kompanisë “RKM”, akuzohen për dorëzimin e dokumenteve të rrejshme dhe mosrealizim të obligimeve të dakorduara me çka dyshohet se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 167,5 milionë euro.