Deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët dyshohen për hapjen e të Kuvendit për protestuesit më 27 prill, vazhdojnë të lëvizin lirshëm edhe pse dyshohen për pjesëmarrje në krim të organizuar. Njeri nga protagonistët i cili hapi portat e Kuvendit, Sashe Vasilevski sot ishte në Kuvend. Edhe i dyshuari Johan Tarçullovski i cili nga incizimet e kamerave të sigurisë vërehet duke orientuar turmën drejt sallës së konferencave për shtyp u paraqit në Kuvend. Ky i fundit në një prononcim për agjencinë e lajmeve Makfax u shpreh se nuk ndjen përgjegjësi për veprimet e tij më 27 prill.
Gjejeni vetëm një njëri, një vetëm, cilido qoftë ai që thotë se i kamë sugjeruar të shkoj aty apo këtu. Nuk e kam udhëzuar askënd. Ju them ma gjeni një njeri vetëm që thotë se Johani më ka treguar nga të shkoj – deklaroi Johan Tarçullovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Në Kuvend sot nuk u paraqit deputeti Kërsto Mukoski, i cili mohonte të ketë hapur dyert e Kuvendit edhe pse incizimet dëshmonin të kundërtën e tij. Ai sot nuk ishte as në zyrën e tij në Kuvend.
Deputetët e maxhorancës konsiderojnë se mos përgjegjësia e atyre që hapën dyert e Kuvendit buron nga ndikimi politik në Prokurorinë Publike. Petre Shilegov vlerëson se ndryshimet e shpejta që priten në organin e akuzës do të krijojnë rrethana për zbardhjen e të enjtes së përgjakshme.
Vërehet qartë se kryeprokurori aktual bashkë me strukturat e tij nga brenda dhe Prokurorët Publik që janë nën kompetencat e tij janë nën kontroll të plotë partiak dhe kjo është arsyeja e vetme pse deputetët e caktuar deri më tani nuk janë ftuar për të dëshmuar asnjë version para Prokurorisë Publike – tha Petre Shilegov, Deputet i LSDM-së.
Nga Prokuroria Publike për krim të organizuar dhe korrupsion nuk u përgjigjën nëse kanë ftuar 7 deputetët e VMRO-DPMNE-së të dyshuar për hapjen e dyerve. Se deputetët në fjalë janë ose jo në procedurë, akoma nuk është njoftuar edhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe as kryetari Talat Xhaferi.
Adrian Kerimi

