Burime nga kryesia partiake e BDI-së kanë thënë për gazetën Dnevnik se deputetët e kësaj partie që përkrahnin koalicionin me VMRO-DPMNE-në, respektivisht që negocionin me partinë e Gruevskit, tani e kanë kthyer goditjen ndaj treshit të nënkryetarëve – Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Nevzat Bejta, duke i akuzuar se ata dhe ministrat e BDI-së kanë mbetur nëkoalicion me VMRO-DPMNE-në edhe pse ka vendim partiak për koalicionim me LSDM-në. Arifi, Mexhiti dhe Bejta nuk kanë komentuar ndaj këtyre vërejtjeve, e as nuk kanë dhënë ndonjë ide se si të tejkalohet bllokada e Kuvendit dhe si të zgjedhet qeveria e re.
Ahmeti nga ana tjetër ka komentuar se me ngritjen e platformës shqiptare si çështje ekzistenciale për Maqedoninë, janë minimizuar gjasat për ligj të ri për gjuhën, respektivisht se tani nuk do të realizohet as shkronja “sh” nga gjuha shqipe, e jo më avancim i saj, transmeton Gazeta Lajm.
Sipas gazetës Dnevnik, BDI e ka kuptuar se dorëheqjet e ministrave të tyre nuk do të kishin efekt në kohën kur nuk ka kush t’i konstatojë dorëheqjet, e as Parlament funksional i cili do të zgjidhte ministra të rinj. Kjo gazetë vlerëson se Ahmeti pas mbledhjes ka dalë me qëndrim “as mish, as peshk”. Burime në BDI kanë konfirmuar për Dnevnik atë që e shkroi dje Gazeta Lajm, se Ahmeti dëshiron t’i tërheqë ministrat e tij nga qeveria për shkak se i kanë dalë nga kontrollit dhe më tepër i janë përkushtuar interesave personale se “interesave shoqërore”.