Deponia në dalje të Komunës së Haraçinës dhe në hyrje të Likovës vazhdon të paraqesë një rrezik për banorët e këtyre zonave. Djegia e deponisë, qenë endacakë, kafshë të ngordhura dhe shumë rreziqe të tjera, janë problem i përditshëm për banorë e fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Mojancë. Ata kërkojnë nga komuna dhe qeveria që të gjejë zgjidhje një ditë e më parë meqë as nuk mund të lëvizin lirshëm.
“Na helmuan, na mbytën, 100 herë kemi kërkuar por askush nuk ka marr masa. Këta janë helmime të përditshme, na helmuan me fëmijë me krejt, ka qenë endacakë, ka qenë që me të zënë të mbysin, aty nuk gjuhen vetëm mbeturina, aty gjuhen edhe kafshë të ngordhura”.
“Na pengon ajo, në tërë fshatin vjen era dhe helmon tërë fshatin, ata që kërkojnë hekur e ndezin. Mund ta heqin atë, do ishte shumë mirë, por se largon askush.
“Mbeturinat na pengojnë shumë. Janë rreth rrugës edhe rrugicave. Nuk mund ta kuptoj unë këtë, fshatarët e kanë bllokuar edhe rrugën lartë për t’u ndaluar mbeturinat edhe asgjë nuk u bë. Ka shumë qenë aty, janë bërë edhe të egër dhe nuk mund ta kalosh as në këmbë- u ankuan disa banorë.
Kryetari i komunës së Haraçinës Brahim Ajvazi thotë se ajo deponi është në territor të komunës së Likovës por është një problem për banorët e Haraçinës, Ajvazi pret që të ish kryetari i komunës së Likovës, tani ministri i ekologjisë Sadulla Duraku, të gjejë një zgjidhje afatgjate.
Ai problem nuk është i sotshëm, problemi është shumë më herët dhe me të vërtet është një problem për ata qytetarë. Çdo herë është biseduar por nuk është zgjidhur. Mendoj se ministri i sapo zgjedhur i ekologjisë Sadulla Duraku, e ka të njohur e din problemin dhe mendoj se ai do të marrë masa që ai problem të zgjidhet- tha kryetari i komunës së Haraçinës.
Ministri i ekologjisë Sadulla Duraku për Alsat tha se është duke punuar për të mbledhur informata për të gjitha deponitë e egra në territorin e Maqedonisë dhe pas përgatitjes së një raporti të detajuar, në mbledhjen e Qeverisë do të kërkohet të gjendet një zgjidhje afatgjate.
Sanat Zylbehari

