Deponia e zgjyrës së krijuar nga Shkritorja ende i “qëndron mbi kokë” Velesit. Tre vjet pasi u dha koncesioni për ta eksportuar atë si lëndë e parë minerale teknogjen (ose e prodhuar nga njeriu), nga qyteti janë larguar vetëm sasi të vogla. Kodra e Zezë, e cila llogaritet se përmban mbi 1,8 milionë tonelata mbeturina, është ende në këmbë dhe prej disa muajsh atje nuk ka asnjë aktivitet. Ka disa makineri dhe një pjesë të impiantit për ndarjen e lëndës së parë, por nuk ka punëtorë, ndërsa as zona përreth deponisë nuk është e rrethuar. Mbetjet, që zënë një sipërfaqe prej 33.000 metra kub, vlerësohet se përmbajnë rreth 10 për qind zink, 1 për qind plumb si dhe metale të tjera të rrezikshme si kadmium, bakër, arsen, indium, talium, shkruan Meta.mk.
Koncesionari, kompania “Caps Mont Group”, në disa raste gjatë viteve të kaluara ka eksportuar sasi të vogla në Malajzi, Turqi dhe vendet e rajonit, por të gjitha marrëveshjet me blerësit potencialë nuk janë realizuar deri tani. Aktualisht kompania nuk ka ndonjë marrëveshje me blerës të interesuar që do ta blinte tërë sasinë dhe planifikon që zgjyrën t’ua shet disa kompanive të interesuara në bursë. Nuk ka datë konkrete se kur do të fillojë nxjerrja e saj, kurse do të punohet me teknologji të cilën e lejon leja e integruar B, të cilën koncesionari e ka marrë fillimisht nga Komuna e Velesit në vitin 2019. Vitin e kaluar, kompania kërkoi vazhdim të licencës për instalimin e një linje të re teknologjike për ndarjen e lëndëve të para minerale teknogjene në disa fraksione, me procedurë paraprake të bluarjes parësore dhe dytësore në grirëse terciare, krejt kjo me qëllim të sigurojnë ndarje sa më të pastër të metaleve dhe lëndës parë.
“Po përballemi me një problem, zgjyra ka shumë mbetje të ndryshme dhe askush nuk dëshiron ta blejë në këtë gjendje. Kur është krijuar kodra, mbi të është hedhur edhe gëlqere, me siguri kompetentët kanë menduar se ashtu do ta mbronin që të mos shpërndahet gjithandej nga era. Tani duhet të gjejmë mënyrë për t’i pastruar të gjitha”, thonë nga Capes Mont Group.
Ambientalistët nga Velesi nuk janë të kënaqur që kodra me zgjyrë ende qëndron në qytetin e tyre. Ata thonë se kishin pritur dinamikë më serioze për pastrimin e deponisë, për të kaluar më shpejt në hapin tjetër, riparimin e tokës së ndotur dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ujërat nëntokësore nga ndota shumëvjeçare.
“Velesi është peng i Shkritores, e cila ka aq vite që nuk funksionon, kurse institucionet janë inerte dhe të pa interesuara dhe kanë dështuar si mekanizma kontrollues. Kompania ka vetëm një përfaqësi formale në Veles, e dimë se janë nxjerrë disa kamionë dhe punët janë ndërprerë. Gjatë viteve të kaluara as një herë nga shoqatat mjedisore nuk jemi takuar me përfaqësuesit e tyre për të parë se si po shkojnë punët me pastrimin e deponisë”, thotë Igor Smilev nga “Green Power”.
Ai vë në pah se është joserioze që institucionet të japin koncesion dhe të mos kenë strategji se çfarë do të bëjnë më pas. Thotë se banorët e Velesit ende shpresojnë se një ditë qyteti do të pastrohet dhe do të mund të jetojnë më shëndetshëm, por qëndrimi i institucioneve vendore dhe shtetërore ndaj mjedisit jetësor, mjetet minimale që investohen dhe fakti që kjo temë është në fund të agjendave të politikanëve, ua shkatërron shpresën.
Leja e integruar B, e cila jepet nga Komuna, i është dhënë “Caps Mont Group” në tetor të vitit 2019 dhe vlen deri në tetor 2023, deri kur është afati i fundit për pastrimin dhe eksportin e plotë të lëndës së parë. Koncesioni, nga ana tjetër, i përcaktuar me Lejen e shfrytëzimit të lëndës së parë minerale teknogjene nga Ministria e Ekonomisë, është marrë pak muaj më parë, në maj 2019 dhe është i vlefshëm për shtatë vjet ose deri në maj të vitit 2026. Duke qenë se deri më tani janë eksportuar sasi shumë të vogla, nëse kompania dëshiron të përmbushë plotësisht marrëveshjen e koncesionit do të duhet të kërkojë vazhdimin e licencës së integruar B deri në tetor të vitit të ardhshëm.