Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës ka konfirmuar se zyrtarë të partive të Kosovës dhe të Serbisë janë takuar në Zvicër, një javë pasi serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare.
Mediumi zviceran “NZZ am Sonntag” ka raportuar gjatë fundjavës se përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë kanë negociuar fshehtas në Zvicër. Të hënën dolën detaje të tjera rreth, siç u tha, “takimeve sekrete”. Është konfirmuar tanimë se nuk kanë qenë diskutime të nivelit të qeverive.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një copë e rëndësishme e ‘puzzle’-it për të promovouar stabilitet dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor. Zvicra përkrah përpjekjet për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë dhe e ka bërë vazhdimisht të qartë këtë në komunikimet publike”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Federal për Punë të Jashtme.
Më tutje, konfirmojnë se një takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, përbërja e të cilëve ishte nga partitë politike të dy vendeve, është mbajtur në nëntor.
“Që nga viti 2015, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka përkrahur negociatat zyrtare të Bashkimit Evropian, me takime plotësuese joformale me përfaqësues të partive politike më të rëndësishme nga të dy vendet. Kjo ua mundësoi atyre që të shkëmbejnë pikëpamjet në cështje politike dhe të ndërtojnë mirëbesim. I fundit nga këto takime u mbajt në Zvicër, një javë pasi serbët u tërhoqen nga institucionet kosovare”.
Për takimet e mbajtura deri tash, përfshirë atë të nëntorit pas tensionimit të situatës në veri, zviceranët refuzojnë të japin më shumë detaje.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha sot për Gazetën Express se takimet nuk ishin “sekrete”, por janë realizuar sipas rregullave ‘Chatham House”, që i bie se nuk publikohen detaje nga përmbajtja e takimit, apo deklaratat e pjesëmarrësve.
“Janë takime të cilat mbahen për shume vite. Edhe pjesëmarresit kanë qenë të ndryshëm, nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës dhe Serbisë. Asnjeherë nuk kanë qenë sekrete. Në fakt nuk janë takime negociuese. Eshte spektakularitet i kotë“, ka thënë Gjini.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, shkroi sot në Facebook se është bërë “shumë zhurmë për asgjë”.
Në fund, pjesëmarrjen e konfirmoi edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai, si kolegët, dha përshkrim të njëjtë të takimit, ndërsa tha se ai ka qenë më shumë “ takimrekomandues”.
Një javë para takimit në Zvicër, që u zbulua tani, serbët lokalë të veriut të Kosovës nisën braktisjen e institucioneve publike, pas një njoftimi të Listës Serbe, parti e lidhur me pushtetin në Serbi, që përfaqëson serbët lokalë të Kosovës në institucione.
Prej atëherë, asnjë zyrtarë që ka dhënë dorëheqje nuk është kthyer në vendin e punës, ndërsa me fillim të dhjetorit, situata në veri ka përshkallëzuar me vendosjen e barrikadave. Ato u vendosën si reagim, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se organizoi sulm ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policorë në veri të Kosovës.
Incidentet në veri u rikthyen, disa ditë para datës kur planifikohej të mbaheshin zgjedhjet në katër komunat veriore, pasi në fillim të nëntorit ishin dorëhequr edhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.