Një 36-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë së Elbasanit pasi që prej muajit qershor i është larguar nga banesa djali 16-vjeçar dhe nuk është kthyer më.
Ndërsa mbeten të panjohura rrethanat dhe shkaqet se përse ajo ka njoftuar me katër muaj vonesë në Komisariat, efektivët kanë nisur kërkimet dhe hetimet për rastin në fjalë.
“Më 4 tetor ka kallëzuar shtetasja V. Z., 36 vjeçe, se në muajin qershor i është larguar nga banesa djali i saj 16 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij”, bëri me dije sot zyrtarisht policia vendore.
Teksa nuk u dhanë detaje të shkaqeve të largimit apo rrethanave, po bëhen përpjekje për ta gjetur me anë të gjeolokimit nga rrjetet sociale apo telefonit, si dhe pyetjes së shoqërisë së të miturit dhe të afërmve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.