Edhe më tej po kërkohet një zgjidhje për ta zhvendosur Arkivin Shtetëror. Derisa drejtori i arkivit, Kirill Petrov dhe disa ministra në terren e shqyrtojnë infrastrukturën për zhvendosje të re të institucionit, ka një opsion për të ndërtuar një objekt të ri që do ti plotësonte kushtet e nevojshme të Arkivit. Ndërkohë kthimi mbrapa në kuadër të ndërtesës së vjetër të Arkivit, i cili është duke u rinovuar për Prokurorinë e Krimit të Organizuar gjithashtu është problematik, thotë Ministri i Kulturës Robert Allagjozovski.
Situata është shumë e komplikuar, problemi është se në asnjë nga objektet që figuronin në publik, si të mundura, saqë edhe kthimi në ambientet e vjetra të Arkivit, nuk i kanë kushtet ideale. Në këtë aspekt edhe ndërtesa e vjetër e arkivit tashmë ka pësuar disa renovime për të shërbyer në interes të institucionit të ri, kështu që edhe këtu nuk janë më kushtet që ishin aty më parë. Kërkojmë zgjidhje se cila nga institucionet e përhershme do ti plotësonte kërkesat e tilla. Këto kushte janë shumë komplekse – deklaroi Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës.
Dje, një komision i përbërë nga qeveria, prokuroria publike dhe institucioni amë konstatuan se materiali i arkivuar është i sigurt dhe i padëmtuar. Por theksojnë se kërkohet riparim i menjëhershëm i kulmit që të parandalohen përmbytjet. Por, përveç Arkivit, gjatë reshjeve të fundit, shiu depërtoi edhe në një objekt tjetër të “Shkupi 2014”. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kishte depërtuar shi nga çatia, duke shkaktuar të çara në një pjesë të ndërtesës, kështu njoftoi drejtori i Zyrës për Çështje të Përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Pece Mirçevski. Ai theksoi se edhe objektet tjera kanë lëshime gjatë ndërtimit, si Enti shtetëror i revizionit, dhe Instituti Gjeologjik, por nuk tha në mënyrë specifike se për cilin prej tyre kanë interes organet e ndjekjes.
Ne bashkëpunojmë çdo ditë me MPB-në, sidomos me njësinë e krimit të organizuar, me PSP-në, Prokurorinë e rregullt, Policinë Financiare. Nuk do të doja asgjë të them, sepse ka disa procedura që i bëjnë këto organe, që mos ta prish procesin e procedurës parahetimore dhe hetimore, unë nuk do them asgjë, por ka interes për disa nga punët që kanë ndodhur më parë, ata mbledhin dokumentacion – tha Pece Mirçevski – Zyra për Çështje të Përgjithshme dhe të përbashkëta në Qeveri.
Garancia për objektet e reja nga “Shkupi 2014” ka qenë vetëm 2 vjet nga data e lëshimit të lejes së përdorimit. Konkretisht për Arkivin, garancia ka skaduar, që do të thotë se kostoja e rehabilitimit do të jetë shtesë. Sipas hulumtimeve nga BIRN, ndërtimi i ndërtesës ku tani është Arkivi Shtetëror ka kushtuar 42 milion euro.
Alsat-M