Demokracia si sistem politik, kërcënohet shpesh herë nga politika e cila punon pandershmërisht kundër demokracisë, ngaqë politika është treguar si shembull tipik i korrupsionit.
Njerëzia në përgjithësi dhe shoqëria jonë në veçanti, kanë pësuar rëndë nga korrupsioni politik e cili si pasojë ka pësuar prej idiotit, injorancës dhe ligësisë që gjithnjë kanë marrë kompetencat e diturisë dhe se kanë zotëruar e përvetësuar si autoritetin, pushtetin dhe pasurinë.
Kjo është politika, e mbuluar dhe fshehur nën petkun e demokracisë që ka përdorur çdo mjet mashtrimi e pandershmërie, gënjeshtra e hipokrizira, pasuri e para pisllëku, tradhëti e matrapazllëqe të paturpshme për të realizuar qëllimet dhe synimet e vërteta e tinëzare. Politika është pronarja e shtetit, më e pasura dhe më e papërgjegjshmja dhe e pandëshkueshmja për zullumet që bën, ajo e ka korruptuar edhe shtetin, edhe individin, edhe shoqërinë edhe drejtësinë. A nuk është politika autore krimi, vjedhje, korrupsioni dhe tradhëtie publike?!
A nuk është politika ajo që ka mbjellë panikun dhe paralizën e shoqërisë civile në këtë tranzicion?! A nuk është politika ajo e cila edhe me realitetin dhe të vërtetën manipulon, spekullon, mashtron dhe edhe i falsifikon ato. Kur pjesa e politikës cilado qoftë ajo, kur është në opozitë a nuk sillet si engjëll, akumulon pakënaqësitë, predikon realitetin dhe të vërtetën?!
Politika ka bërë mashtrim, spekullim e manipulim për të bërë ç’të dojë e të mos përgjigjet për asgjë dhe para askujt; kjo politikë është dhe vetë hipokrizia që i shpall luftë korrupsionit po që është e zhytur vetë e tëra pothuajse në korrupsion; kjo politikë flet e mitizon sundimin e ligjit dhe të drejtësisë dhe vet shkel ligjin. Kjo është politka sa unë mbaj mend!