Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Komunën e Vrapçishtit, kandidati i mbështetur nga koalicioni VLEN, Zulhajrat Demiri, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë garës zgjedhore.
Demiri pranoi humbjen në zgjedhje, por theksoi se angazhimi i tij për të mirën e komunës dhe të qytetarëve nuk do të ndalet. Ai u shpreh mirënjohës për çdo formë përkrahjeje, duke e cilësuar mbështetjen e qytetarëve si forcën e tij më të madhe.
“Ndonëse humbëm një garë zgjedhore, nuk humbëm besimin tek njëri-tjetri dhe as dashurinë për komunën tonë. Angazhimi për këtë vend nuk përfundon me zgjedhje,” ka deklaruar Demiri.
Ai falënderoi veçanërisht ekipin e tij, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët, të cilët, sipas tij, punuan me ndershmëri dhe përkushtim për një vizion më të mirë për Vrapçishtin. Demiri theksoi se do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve dhe të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Në fund të reagimit, ai kërkoi ndjesë për pamundësinë për t’iu përgjigjur të gjitha mesazheve dhe telefonatave, duke theksuar se çdo shprehje mbështetjeje ka pasur vlerë të veçantë për të.


