Pas gati katër muajsh të kaluara në izolim total në regjimin famëkeq “41bis”, Deme Shehu nga Grupi i Kumanovës është rikthyer sot në Burgun e Idrizovës. Përmes një deklarate publike, Shehu rrëfen kushtet ekstreme të mbajtjes dhe shpreh vendosmërinë e tij për të mos u thyer shpirtërisht, pavarësisht padrejtësive të përjetuara.
Shehu falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë katër muajve të izolimit, duke veçuar përfaqësuesit diplomatik të Kosovës në Shkup, Z. Nuhi Shala dhe Z. Florian Qehaja, për përkushtimin dhe ndjeshmërinë e treguar.
Më poshtë shkrimi i plotë i Demë Shehut:
Pas gati katër muajsh izolim në sistemin 41bis, sot më rikthyen në Burgun e Idrizovës.
Në mënyrë të kundërligjshme më mbajtën të mbyllur 24 h, pa kushte elementare per jetesë,por shpirti im nuk mund të mbahet prapa mureve.
Jam mirë dhe më i fortë se kurrë, si mali që qëndron përballë stuhisë.
Çdo përpjekje për të më thyer, më bën më të vendosur dhe më të pathyeshëm.
Qëndresë dhe stoicizëm janë armët e mia.
Dashuria për atdheun dhe liria shpirtërore janë drita që më udhëheq.
Kurrë nuk do t’ju lejoj të thyeni moralin tim, sepse mendja ime dhe shpirti im nuk robërohet asnjëherë.
~Mirënjohje dhe Falënderim të Thellë~
Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim të thellë për të gjithë ata që më qëndruan pranë gjatë katër muajve më të vështirë të jetës sime.
Një falënderim i veçantë shkon për përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës në Shkup, të cilët më bënë të ndihem i mbrojtur, krenar dhe stoik, në një kohë kur padrejtësia po më cënonte rëndë të drejtën dhe dinjitetin tim si qytetar dhe çlirimtar .
Z. Nuhi Shala dhe Z. Florian Qehaja, përfaqësues të jashtëzakonshëm diplomatik të Kosovës, kanë treguar profesionalizëm, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore që nuk do ta harroj kurrë. Falë angazhimit të tyre dhe përkushtimit institucional, zëri im u dëgjua.
Me mirënjohje të veçantë për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, të cilët, përmes përfaqësuesve diplomatik dhe politik, bënë presion të drejtë dhe të qëndrueshëm ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të hiqem nga regjimi i padrejtë dhe kundërligjshëm i “41 bis”, ku isha futur pa të drejtë.
Jam mirënjohës për të gjithë ata që qëndruan në mbështetje të familjes sime dhe meje — për fjalën, për praninë dhe për mbështetjen në heshtje apo publikisht. Falë jush, drejtësia nisi të marrë frymë sërish.
Krenar me shtetin tim.
Krenar me përfaqësuesit tanë diplomatik në Shkup .
D.Sh