Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me deklaratat e dhëna sot nga zv/kryeministri Niko Peleshi dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për shkarkimin e tij.
Duke iu referuar deklaratës së Peleshit, Manjani shprehet se zv kryeministri ka treguar arsyen e vërtetë të shkarkimit të tij; për faktin që ka guxuar gjithmonë të flasë.
Postimi i plotë i Manjanit në FB
“Dua të përshëndes dy shokë të mirë të kësaj mazhorance, Niko Peleshin dhe Erion Velinë.
E falenderoj me shumë sinqeritet Zëvendëskryeministrin sepse në të dyja qëndrimet e tij (dje dhe sot) për shkarkimin tim ka thënë të vërtetën. Jam shkarkuar sepse fola!
Këtë thashë dhe unë dje!
Nuk e di a e ka lexuar motivacionin e shkarkimit tim Zv/Kryeministri, por e vërteta është ajo që themi ne të dy: “u shkarkua sepse foli”. Pra nuk u shkarkova për marrëdhënie më të mira me Kuvendin sepse këtë mandat e ka kolegia ime (edhe keto ditë) Ermonela Felaj dhe as për progresin e Reformës në Drejtësi, mandat të cilin mazhoranca ka kohë që e ushtron në Parlament.
Faleminderit Niko që edhe ti flet dhe thua të vërtetën!
Së dyti mikut tim Erion Veliaj i kam dhënë votën për kapiten të Tiranës dhe kam bërë mirë. Të paktën deri tani Erioni e ka justifikuar besimin!
Jam i bindur tashmë se asnjë kandidat tjetër që përflitej asokohe nuk do ishte në lartësinë e Erionit.
Këshilla ime për Erionin është ta lërë atë “kapitetin” tjetër në anijen e vet! Është anije krejt tjetër ajo e atij “kapitenit” që shtyn dhe mbledhjen e radhës të qeverisë se nuk duron dot asnjë kontribut në favor të bashkive!
Ka harruar se ka qenë dikur në atë anijen ku je ti sot!”
31 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)