Një mesazh i pazakonshëm, i drejtëpërdrejtë dhe mjaft i guximshëm i faktorit ndërkombëtar lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni. Pra “Maqedonia nuk do të ekzistojë si shtet nëse shqiptarëve nuk u jepet më shumë pushtet politik”, kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Zëri”, ish-kongresmeni amerikan, Joseph Dio Guardi.
Kjo deklaratë e Guardit sipas kryeredaktorit të gazetës “Lajm”, Isen Saliu vlerësohet si konstatim i saktë, mirëpo shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm se prishja e Maqedonisë nuk është forma e vetme dhe më e mirë, por ndryshimi i përfaqësuesve tanë aktual në qeveri.
“Gjatë gjithë këtyre viteve problemet më të mëdha shqiptarët i kanë pasur me resorët që udhëhiqen nga ministra shqiptarë dhe për shkak se partitë shqiptare nuk kanë guxuar të shkarkojnë ministrat problematikë maqedonas edhe pse numrat në Parlament ua kanë mundësuar një gjë të tillë. Prandaj për të ndryshuar gjendjen në të cilën jemi, nuk kemi nevojë ta prishim Maqedoninë, por të jemi më të kujdesshëm se kujt ia japim besimin të na përfaqësojë në institucione”,deklaroi për Almakos, Isen Saliu.
Në vazhdim Saliu shtoi se problemi më i madh i shqiptarëve qëndron në faktin se udhëhiqen nga njerëz jokompetentë dhe të shantazhuar.
“Dua të them se për momentin ne problemin më të madh e kemi me funksionarët tanë të cilët nuk kanë kapacitet të ushtrojnë kompetencat që ua ofron posti që mbajnë, ose nuk ose nuk mund t’i ushtrojnë ato kompetenca, për shkak se janë të kapur në skandale e afera. Nëse zgjedhim përfaqësues që nuk janë të korruptuar e të komprometuar, ne shumë lehtë do ta kemi me maqedonasit. Nëse jo, do të vazhdojmë kështu si; jemi, as nuk do të mund ta ruajmë, e as nuk do të mund ta prishim Maqedoninë”, vazhdoi Saliu.
Pa dashur të nënvlerësojë kongresmenin DioGardi, sipas gazetarit tjetër Arben Zeqiri, fjalët e tij nuk duhet të shihen si ndonjë teori e zakonshme, por diçka që është dëshmuar për dy dekada.
“Maqedonia nuk po arin të bëhet shtet dhe në të njëjtën kohë shqiptarët nuk janë pjesë e shtetit. Dmth diçka i mungon këtij shteti dhe ata janë pikërisht shqiptarët. Shqiptarët e kanë dëshmuar edhe vullnetin por edhe aftësinë për ta shpëtuar këtë shtet në shumë situata të rrezikshme. Shqiptarët nga fqinjësia janë të vetmit që e njohin shtetin dhe emrin, derisa maqedonasve vëllezërit e vetë s’ua njohin identitetin. Shqiptarët kudo arijnë suksese mbajnë flamurin dhe emrin e shtetit derisa shteti në Kushtetutë ende nuk thiret në emër të shqiptarëve por edhe i diskriminon ata. Shqiptarët edhe politikisht edhe në shume forka tjera i kanë dhënë infuzion këtij shteti. Por duhet ta kuptojnë partitë maqedonase se edhe dashuri madje e jo më vetëm korrektësia, kanë një kufi. Unë lutem të mos jetë kufiri tani por jogjithkush e ka këtë bindje. Andaj nuk duhet rrezikuar duke provokuar durimin dhe korrektësinë e shqiptarëve”, ka thënë në një prononcim për Almakos, gazetari Arben Zeqiri.