Burrel- Skuraj është ndër akset nacionale më problematike në vendin tonë. E gjithë rruga ka probleme të ndryshme që nga dëmtimi i asfaltit, mungesa e barrierave mbrojtëse e deri tek mungesa e sinjalistikës horizontale e asaj vertikale.
Më problematik mbetet segmenti nga Burreli deri tek Ura e Ulzës, ku çedimet e shumta, gropat e mëdha dhe dëmtimi i shtresës së fundit asfaltike, e bëjnë udhëtimin tepër të vështirë.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se nuk mbajnë mend se kur është investuar për herë të fundit ndërsa emigrantët që janë kthyer pas 19 vitesh thonë se gjendja nuk ka asnjë ndryshim pasi është siç e kanë lënë.
Me shtimin e lëvizjes në sezonin turistik, gjendja e rrugës pritet të kufizojë vizitorët që shkojnë kryesisht në luginën e Shkopetit apo i drejtohen bregdetit të Lezhës dhe Shkodrës.


