Kryetari i Aleancës për Shqiptarë, Ziadin Sela, në kuadër të fushatës parazgjedhore për Zgjedhjet Lokale dje vizitoi Sarajin dhe Zhelinën. Ai në takimet me qytetarët ka folur për procesin e decentralizimit, që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit duke akuzuar me këtë rast, BDI-në se është përgjegjëse që, siç thotë, paratë e shqiptarëve janë drejtuar në vendbanime që nuk janë të banuara nga shqiptarët.
“Degradimi i procesit edukativo-arsimor në nivelin që e kemi e ka vetëm një fajtor, e është ai i cili e ka pushtetin qendror tash e 15 vjet. Është po ashtu i njëjti fajtor kujdestar për mungesën e kushteve për nxënësit. Ndahet pak buxhet nga pushteti qendror për pushtetin lokal.
Problemi i ujit të pijshëm, i cili është i pranishëm në të gjitha komunat shqiptare, problem i cili nuk mund të jetë faj veç e veç i disa kryetarëve të komunave, por ka një emër të përbashkët, i konceptit politik që i ka udhëhequr këto komuna dhe që e ka udhëhequr pushtetin qendror”, ka thënë Sela.
Në Saraj, kreu i ASH, e prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj komune dhe kërkoi nga banorët që të votojnë kandidatin e Aleancës për Sarajin, Ekrem Alija. Kandidati i ASH-së për kryetar të Komunës së Sarajit, Alija shpalosi projektin për katër vitet e ardhshme, si me prioritet renditi punësimin e të rinjve, pasi që sipas tij, deri më tani janë punësuar vetëm aktivistë partiak dhe familjarë të kryetarit në largim te Sarajit.
“Infrastrukturë probleme me qarkullim, riparimi i rrugëve ekzistuese, ndërtimin e rrugëve të reja, rregullimi i barrierave për gjatë hekurudhës në fshatin Kondovë. Sanimi i rrjetit të ujësjellësit, rregullimi i ndriçimit publik, sigurimin e transportit të nxënësve në fshatin Paniçar”. Ai tha se janë në bisedime me Investitor nga Austria dhe Kosova për ta rikthyer në një qendër rekreative Liqenin artificial Treska.