Kanalizimi dhe asfaltimi i rrugës në Debresh të Gostivarit po premtohet që prej dy e më shumë vitesh, por asgjë nga këto premtime. Në vend të asfaltimit të rrugës, vetëm se janë shtuar gropat, pluhuri dhe papastërtia. Komuna e Gostivarit njoftoi se filluan punimet në këtë rrugë, por siç shishet nga pamjet, përveç shtrimin të rërës asgjë më shumë nuk është bërë. Banorët ankohen se po mbyten në pluhur dhe baltë ndërkohë që nga komuna po marrin vetëm premtime dhe asgjë më shumë.
“Ja shiheni makinën brenda si është. E tëra në pluhur. Kjo kështu është që në kohën e jugosllavisë, e çdo ditë e më tepër duke u shkatërruar dhe duke mos u riparuar kurë”, tha një banor.
“Katastrofë është kjo, katastrofë, kjo nuk ka të përshkrume. I treti vit është kështu rruga. Po ku të ankohemi, se mos ka shtet që të ankohemi,” tha një banor tjetër.
“Shiheni si e kanë shkatërrua aty rrugën tash e dy vjet si e kanë hapur. Makinën e mbaj aty në garazh se na mbyti pluhuri, sa do zgjasë nuk e di. Jo një herë ju të Alsatit keni qenë disa herë, vetëm thonë do bëhet asfalti do bëhet por kur nuk e dimë. Tani do vijnë dhe mërgimtarët ku do vijnë, a do vijnë në pushim a do vijnë të rrinë në pluhur”, u shpreh një banor.
I gjithë problemi, sipas informatave të televizionit Alsat, qëndron pikërisht tek mos pagesa e borxhit që ka komuna ndaj ndërmarrjes tregtare që ka kryer punimet, e që për pasojë e njëjta nuk vazhdon që të punojë. Nga ana tjetër, banorët po përgatiten për protesta duke bërë madje edhe peticion i cili do dërgohet në komunën e Gostivarit, për të kërkuar të drejtat e tyre. U drejtuam edhe në komunën e Gostivarit, nga ku na u tha se punimet kanë filluar por u ndërprenë me kërkesë të banorëve deri në kthimin e mërgimtarëve dhe përfundimin e ahengjeve familjare. /alsat.mk