Dëbimi i diplomatit u bë pas konsultimeve të MPJ-së me aleatët e BE-së dhe të NATO-s dhe në shenjë solidariteti me Britaninë e Madhe për shkak të rastit “Skripal”. Shefi i Diplomacisë maqedonase arsyetoi vendimin me faktin se diplomati i dëbuar “ka dalë nga korniza e mandatit të tij diplomatik”.
Presidenti, Gjorge Ivanov, e cilësoi të shpejtuar veprimin e MPJ-së, ndërsa kryeministri Zaev potencoi se dëbimi i diplomatit nuk do të duhej të ndikojë në raportet e Shkupit me Moskën.
“Momentalisht nuk ka asgjë të re, vendimin tonë dje e sqaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe kryeministri, Zoran Zaev, dhe konsiderojmë se janë respektuar procedurat diplomatike dhe konform Konventës së Vjenës është vepruar ashtu siç urdhërojnë ligjet në Republikën e Maqedonisë”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.