Debati në Kuvend për formimin e komisionit për zgjedhje dhe emërim pritet të zgjasë një muaj, ndërsa debati në komision dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit edhe më shumë se kaq.
Gjatë debatit të djeshëm kanë diskutuar vetëm dy deputet, ndërsa në listë ka të paraqitur edhe mbi 55 të tjerë. Nëse vazhdohet me praktikën e njëjtë ku ndaj çdo diskutanti paraqiten dhjetëra replikues dhe nëse çdo ditë tempoja ngelet e njëjtë si dje, atëherë për përfundimin e rreth 60 diskutuesve do të duhet ta kalojnë një muaj.
Gjasat për këtë janë shumë të mëdha pasi edhe sot debati ka vazhduar njëjtë si dje me replika dhe kundërreplika ku kryesisht paraqiten deputetët e VMRO-DPMNE-së.
Pasi të miratohen anëtarët e komisionit atëherë ky komision duhet të shqyrtojë kandidaturat për kryetarë Kuvendi dhe më pas të hapet debat i ri në seancë plenare.

