Kush është koka e çmendur që thotë Ilir Meta? Saimir Tahiri, Edi Rama, apo Donald Lu? Kreu i Kuvendit mbështet publikisht kryeprokurorin Llalla, të akuzuar nga amerikanët se pengoi reformën dhe shkeli Kushtetutën. Gjatë intervistës së dhënë në Top Story, kreu i Kuvendit Ilir Meta shprehet se nuk është bërë palë në asnjë konflikt me askënd.
“Jam palë me transparencën dhe të vërtetën, sidomos kur bëhet fjalë për një të vërtetë që ka ndodhur në Kuvendin e republikës së Shqipërisë, ku u hodh shorti. Kam patur për detyrë dhe kam ndjerë për detyrë që thjesht të bëj transparencën maksimale të procesit që kishte ndodhur, por edhe pas procesit duke kërkuar të dhëna shtesë në mënyrë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme që menjëherë janë publikuar në faqen e Kuvendit dhe që ndoshta nuk janë të sakta dhe unë akoma pres që nëse ndonjë prokuror apo prokurore është përjashtuar nga e drejta që i jep ligji dhe plotëson kriteret, atëherë unë do të kem një qëndrim tjetër edhe ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, por deri më tani nuk na ka rezultuar”.
Meta tha se nuk është palë me askënd, përveçse me transparencën. Sipas tij, Kuvendi nuk ka vërejtur asnjë shkelje deri më tani në shortin për anëtarët e KED.
“Ambasadori, i SHBA-ve, ka një vend të veçantë në raportet tona dhe ne e kemi pranuar këtë. Po të ishte ambasador i ndonjë vendi tjetër, qëndrimet e tij mund të ishin shumë më të papranueshme, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga institucionet e vendit. Por ne e kemi pranuar këtë marrëdhënie dhe pranojmë edhe kritika. Por asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë institucionet e Shqipërisë”, tha Meta.
“Deklarata ime nuk ka rritur tension, por ka sjellë sqarime të deritanishme. Nuk ka qenë detyra e Kuvendit për të kryer këtë proces, ka qenë një institucion tjetër që do të niste këtë proces. Në këto kushte, Kuvendi mori nismën për të zhbllokuar këtë proces dhe besoj se mori kohën e duhur. Unë nuk e hodha shortin brenda 24 orëve, por e shtyva me disa ditë për të bërë publik emrat e kandidatëve. Ka qenë vetëm një ankesë e një gjyqtareje, që pranonte se nuk plotësonte kërkesat e ligjit. Kemi sqaruar se Kuvendi nuk bën interpretimin nëse plotësohen apo jo kriteret. Nëse dikush ankohet, atëherë çështja mund të shkojë në gjykatë”, tha kreu i Kuvendit.
6 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)