Nuk do të tërhiqemi nga kërkesa për rritjen e pagës minimale në 450 euro, sepse ky është pragu nën të cilin nuk guxojmë të shkojmë. Pagë prej 450 euro nuk duhet të marrë asnjë nga të punësuarit në sektorin publik dhe privat, ajo është vetëm ndihmë sociale që shteti ua jep të punësuarve, theksoi sot në konferencën për media, kryetari i Sindikatës së AOGJSH-së, Tërpe Deanoski.
Si shembull, Deanoski ka marrë Bosnje e Hercegovinën e cila së fundmi ngriti pagën minimale në 600 euro.
“Kërkesa 450 euro mbetet në tavolinë, është kërkesa jonë, nuk është thënë tani, po që para disa vitesh. Shohim që në të gjitha vendet e rajonit paga minimale po rritet, siç e patë BeH e rriti atë në 600 euro. Nëse mundet BeH ta bëjë këtë, pse ne nuk mund të ndjekim shembullin e tyre. Ata shumë thjesht e bënë këtë përmes asaj që quhet shpenzime për ushqim dhe transport. Ne si Sindikatë e AOGJSH-së prej vitesh kemi paralajmëruar se ushqimi dhe transporti nuk janë kompensim, as kompensim i rrogës dhe askush nuk e di se sa marrim për ushqim dhe transport. Kanë mbetur në shumën që nga viti 2009 prej 2600 denarë dhe pikërisht në çmimet për transport dhe ushqim. Inflacioni nga viti 2009 e deri më tani është rritur mbi 40 për qind, ndërsa çmimet kanë mbetur të njëjta”, ka thënë Deanoski.
Rreth 95 për qind e të punësuarve në administratën shtetërore dhe gjyqësi kanë paga nën mesataren, shton Deanoski, duke theksuar se 450 euro sipas shportës sindikale nuk plotëson nevojat elementare të jetesës në Maqedoni.