Deputetja e ASH-së, Ilire Dauti, thekson se çdo koncept që nuk prodhon barazi reale, por vetëm “siguri psikologjike” për njërën palë, është politikisht i padrejtë. Sipas saj, shqiptarët nuk duhet të justifikohen pse kërkojnë barazi.
“Një njësi zgjedhore, përveçse zvogëlon përfaqësimin real të shqiptarëve, forcon edhe karakterin unitar të shtetit, duke legjitimuar kornizën diskursive të palës dominante. Pas vitit 2001, Maqedonia e Veriut nuk është më shtet unitar klasik, por një shtet me mekanizma konsensualë dhe të drejta kolektive etnike (sa janë realizuar në praktikë është çështje tjetër).
Prandaj, unitarizmi si koncept përjashtues duhet refuzuar, duke mos pranuar zgjidhje që mohojnë realitetin shumetnik të shtetit, siç është kërkesa e partive maqedone për një njësi zgjedhore.
P.S. Tetë njësi zgjedhore, aq sa janë rajonet zhvillimore, janë ajo që i duhet dhe i shkon Maqedonisë së Veriut, së bashku me lista të hapura.


