European flag on the right, and flag of the former Yugoslav Republic of Macedonia
Alsat 2019-05-18T16:08:08+02:00
Data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE sërish i ndezi gjakrat mes VMRO-së dhe LSDM-së. Ashtu siç po afrohet qershori, opozita gjithnjë e më shumë e sulmon pushtetin se vendi nuk do të marrë datë. Si shkak për këtë në deklaratën e partisë ata e theksojnë kriminalitetin e pushtetit që sipas VMRO-DPMNE-së është me prioritet para realizimit të projekteve.
“Deputetë që vendosin për çështje esenciale porosisin drogë përmes telefonit dhe nuk ka përgjegjësi. Borxhi rritet, qytetarët edhe më shumë varfërohen, përgjegjësi nuk ka nga Ministria e Financave. Maqedonia po fundoset në listën e korrupsionit, ndërsa Zaev dhe Angjushev ndajnë tenderë dhe normalisht, nuk ka përgjegjësi. Gjithë këtë qeverisje të papërgjegjshme dhe me kriminalitet e sheh bashkësia ndërkombëtare dhe krejtësisht e pritshme, siç nuk ka përgjegjësi nuk do ketë as datë për bisedime në qershor”, thonë nga VMRO-DPMNE.
LSDM iu përgjigj akuzave të opozitës. Partia qeverisëse beson se VMRO-DPMNE-ja dëshiron të mos ketë datë për negociata me BE-në dhe vendi të kthehet në izolim.
“Mbështetja për integrimin e vendit në Aleancën e NATO-s dhe Bashkimin Evropian vjen nga të gjitha anët. Tashmë 13 shtete kanë ratifikuar Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Vetëm VMRO-DPMNE-ja mbetet e vetme të bëjë tifo për mos marrjen e datës për fillim të negociatave, të bërtasë kundër përparimit të vendit. Në vend që të flasë me hipokrizi për drejtësinë, VMRO- DPMNE duhet të mbështesë vazhdimin e punës së PSP-së, dhe të kërkojë pastrimin me krimin e regjimit të VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit, të cilin ende e mbron”, thonë nga LSDM.
Komisioneri evropian për zgjerim Johanes Han, në një intervistë për Dojçe Vele theksoi se Maqedonia e Veriut patjetër meriton fillimin e negociatave me BE-në përpara fillimit të verës. Han, ndër të tjera, tha se vendi ka realizuar reformat e kërkuara nga Këshilli Evropian dhe ka theksuar marrëveshjen e Prespës dhe zgjidhjen e problemit të dekadave me Greqinë.
Bojan Stojanovki
Loading…



