Studenti nga Shqipëria, Dashi Veizaj, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, i cili kishte komentuar protestën e studentëve shqiptarë në Shkup duke thënë se “nuk e dinin pse kishin ardhur të protestojnë”.
Përmes një reagimi publik, Veizaj e cilësoi të papranueshme qasjen e zv/kryeministrit, duke theksuar se ai po merret me “lapsuse të studentëve”, në vend që të japë përgjegjësi për, siç tha ai, “skandalin ku 40 të rinj nga Shqipëria u morën peng nga vartësit e tij”.
“Një zv/kryeministër duhet të mbajë përgjegjësi për trajtimin që shteti u bëri këtyre studentëve, jo të fshihet pas semantikës për të devijuar fajin. Mjaft me propagandë dhe llogari të papranuara përpara mediave”, ka shkruar Veizaj.
Ai gjithashtu i është drejtuar Salit me një pyetje personale, duke thënë:
“Nëse jo si zv/KM, por si prind, si do të ndiheshit nëse autoritetet e një shteti tjetër do të merrnin peng fëmijët e tu për 8 orë e të mos dije gjë për ta? Sepse në të tillë situatë tmerri ishin 40 familje.”





