Danimarka nga 1 korriku ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian. Qeveria në detyrë e Kosovës pret që gjatë presidencës daneze në periudhën e dytë të vitit 2025 të avancohet rrugëtimi i shtetit në integrimin evropian. Gjithashtu, vazhdojnë kërkesat për BE-në që të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bllok, derisa nënvizojnë nevojën që gjatë kësaj periudhe të largohen në tërësi masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe Ambasadën e Danimarkës në Prishtinë, në lidhje me prioritetet e presidencës daneze të Bashkimit Evropian, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane janë skeptikë se do të ketë lëvizje pozitive sa i përket rrugëtimit të Kosovës në bllokun evropian në periudhën e dytë të vitit 2025.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se janë të gatshëm për bashkëpunim të ngushtë dhe efikas me Danimarkën, për një presidencë që do të avancojë, përveçse rrugëtimin në integrimin evropian të Kosovës, edhe marrëdhëniet mes dy shteteve.
Aktualisht Kosova është me qeveri në detyrë, ende pa formuar Kuvendin dhe qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Kosova e mirëpret Presidencën e Danimarkës të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila vjen pas presidencës së një shteti tjetër mik e partner siç është Polonia. Shprehim vullnetin dhe gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë dhe efikas, për një presidencë që shpresojmë se do të avancojë përveçse rrugëtimin në integrimin evropian të vendit tonë, edhe marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Vendi ynë e ka të definuar qartë dhe pa mëdyshje orientimin e saj strategjik për anëtarësim në BE, si pjesë e vendeve të cilat duan të aderojnë në familjen evropiane, përmes një procesi të zgjerimit të bazuar në meritokraci”, thotë ai në një përgjigje për KosovaPress.
Ai shton se Kosova ka dërguar aplikimin për anëtarësim në BE në vitin 2022 dhe se ky proces tash nuk varet nga institucionet në vend. Sipas tij, përmes avancimit dhe zbatimit të reformave, Kosova ka dëshmuar se meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE.
Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, ai thotë se të njëjtat kanë nisur të hiqen në formë graduale, mirëpo thekson që ato duhet të largohen në tërësi.
“Ne e kemi bërë hapin tonë duke aplikuar për anëtarësim. Por ky nuk është proces vetjak e që varet vetëm nga Kosova. Tashmë Bashkimi Evropian duhet ta shqyrtojë duke dhënë vlerësim serioz ndaj aplikimit tonë. Përmes edhe avancimit në zbatimin e reformave, Kosova ka dëshmuar se e meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mbi masat, tashmë ka nisur heqja graduale e tyre, ku po rinisin takimet e nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën dhe projektet e asistencës teknike në WBIF. Masat janë vendosur padrejtësisht dhe kanë qëndruar gjatë në fuqi po padrejtësisht. Heqja graduale e tyre e cila ka nisur, duhet të jetë një hap i cili shtron rrugën për heqjen e plotë e sa më parë të tyre”, shton Kadiu.
Megjithatë, njohësja e integrimeve evropiane, analistja Magbule Shkodra, është më skeptike për avancim të rrugëtimit të Kosovës në BE gjatë presidencës daneze.
Ajo thotë për KosovaPress se Danimarka është shtet mik i Kosovës, mirëpo që nuk varet nga ajo shqyrtimi i statusit të Kosovës si vend-kandidat për anëtarësim në BE si dhe heqja e masave ndaj Kosovës, meqë sipas saj, për një gjë të tillë duhet të japin pëlqimin 27 vendet anëtare të unionit.
Shkodra: Danimarka do të na përkrahë, megjithatë në BE nevojitet konsensus i 27 vendeve anëtare
“Danimarka ka pasur gjithmonë një qëndrim përkrahës për Kosovën, besoj se do ta ketë edhe në vazhdim… Megjithatë nuk e shoh Danimarkën si pengesë pasi ajo do të na përkrahë. Askush nuk mund të përkrahë kur ti nuk e përkrah vetën… Për t’u hequr të gjitha masat kërkohet një konsensus brenda shteteve të BE-së dhe njëkohësisht kërkohet të shihet veprim nga ana e Kosovës në obligimet që e presim. Ne po shohim jo që nuk ka veprim, por nuk ka asgjë, pasi jemi të bllokuar prej 9 shkurtit kur kemi pasur zgjedhje e deri më sot. Ne jemi të vonuar në formimin e Kuvendit dhe institucioneve ekzekutive”, thotë ajo.
Kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 e ka pasur Polonia. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur lëvizje pozitive për Kosovën në drejtim të shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE.
Megjithatë, në muajin maj, Kosova ka marrë lajmin për heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura në vitin 2023 si pasojë e situatës në veri të vendit.