Nëse i hedh një sy mediave sociale, e kupton që lajmi i Breitbart për vizitën e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha në SHBA, po dominon diskutimet.
Në shkrim thuhet se Basha është takuar me kongresmenin republikan, Dana Rohrabacher.
“Ka arsye për të patur frikë për atë që po ndodh në Ballkan,” tha ish-fjalimshkruesi i Presidentit Ronald Reagan.
“Stabiliteti në atë pjesë të Europës varet nga një Shqipëri e qëndrueshme dhe që funksionon. Ka një shqetësim serioz për korrupsionin, tregtinë e drogës dhe terrozimin në këtë vend të rëndësishëm”.
Kongresmeni u shpreh se Shqipëria është në vijën e parë të luftës kundër islamit radikal: “Nëse do ta mundim islamin radikal dhe do të kemi një Europë të qëndrueshme, na duhet dikush që merr përgjegjësi. Lulzim Basha, të cilin e njoh prej kohësh, është pikërisht personi i duhur për të përmbushur këtë mision”.
Po kush është Dana Rohrabacher?
Së fundmi ai është bërë protagonist në një seri debatesh për Ballkanin.
Në një rast ai kërkoi që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë territoret e tyre, duke iu referuar një pjese të Kosovës dhe pjesës shqiptare të Serbisë.
Pas kësaj deklarate, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se Rohrabacher është një lobist i shqiptarëve.
Por ai shkaktoi akoma më shumë zemërim, kur deklaroi në një intervistë për Vizion Plus se Maqedonia nuk është shtet.
“E di që do zemëroj shumë njerëz me këtë që do them, po kujt i plasi, Maqedonia nuk është një shtet. Më vjen keq. Nuk është një shtet,” tha ai, duke sugjeruar që Maqedonia të ndahej mes shqiptarëve dhe bullgarëve.
Ta do mendja që kjo deklaratë u prit me furi nga Shkupi.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur Ballkani po kalon një kohë të vështirë.
Agjencia e studimeve strategjike, Stratfor, shkruan sot se “Rusia po ngacmon folenë e grerëzave në Ballkan”.
“Stabiliteti i Ballkanit ka qenë një temë e nxehtë në takimet e presidentit rus, Vladimir Putin në Këshillin e Sigurisë së Kremlinit këtë vit. Putin tha se kjo është një përparësi e lartë për Moskën. Incidentet e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan kanë qenë në rritje, ndërkohë që kjo ngre pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një tjetër teatër të përplasjes së Rusisë me Perëndimin,” shkruan agjencia.
Këtu historia komplikohet disi, pasi Rohrabacher cilësohet si një njeri i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Madje agjencia Politico.com shkruan se ai është “kongresmeni i preferuar i Putinit”.