Protesta që dje u mbajt në sheshin Sintagma në Athinë, e quajtur “Maqedonia do të thotë Greqi”, përfundoi qetë, pa incidente, por shkaktoi vlerësime dhe komente të ndryshme rreth numrit të pjesëmarrësve në protestë. Organizuesit para protestës kumtuan se nga të gjitha viset e vendit janë organizuar autobusë, ndërsa shkonte edhe fushata në rrjetet sociale. Sipas deklaratave të tyre, në tubim priteshin së paku një milion qytetarë.
Sipas policisë greke, ndërkaq, në tubim, në qendër të Athinës, morën pjesë rreth 140 mijë qytetarë. Nga protesta u dërgua rezolutë, të cilën organizuesit paralajmëruan se do t’ia dërgojnë presidentit të vendit, kryeministrit dhe Parlamentit grek.
“Të përjashtohet çfarëdo lloj mundësie për përdorimin e emrit grek Maqedonia dhe fjalët e nxjerra, që është e barabartë me emrin Greqi dhe është element i pandashëm i identitetit nacional”, kërkuan organizuesit në rezolutën e tyre.
Në tubim, siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, folës i parë ishte kompozitori grek Teodorakis, i cili i bëri kritika të ashpra qeverisë, por edhe vendit tonë. Përveç asaj që tha se Maqedonia është greke, Teodorakis kërkoi edhe referendum.
“Nëse një qeveri greke mendon ta vendosë nënshkrimin e vendit për emër të përbërë, nuk ka tjetër zgjedhje përveç se ta pyesë popullin grek. U bëj thirrje deputetëve, të cilët e kanë atë të drejtë të kërkojnë referendum”, tha Teodorakis. Paralelisht = me protestën në Sintagma, në largësi prej rreth 800 metrave, anarkistë dhe organizata antifashiste mbajtën kundër protestë, ku edhe krahas masave të policisë, erdhi deri te një numër i vogël i incidenteve të shkaktuara nga një grup i ultradjathtistëve. Grupi e sulmoi policinë me gurë, ndërsa njësitë speciale u përgjigjën me sasi të vogël të gazit lotsjellës.
Parullat që i brohoritën pjesëmarrësit në protestë ishin të njëjta që u dëgjuan edhe në protestën në Selanik, se Maqedonia është greke, por, sipas analistëve dhe gazetarëve në Greqi, protesta nuk ishte vetëm patriotike, por, siç analizoi tashmë MIA, mori edhe karakter antiqeveritar.
Protestën përmes Tuiterit e komentoi shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias. Në profilin e tij shkroi se “agjencitë e rejtingut sot morën demant” dhe i bëri kritika Demokracisë së Re opozitare.
“Vazhdoj, me ndërgjegje të qetë dhe përgjegjësi të negocioj për të mirën e atdheut”, shkroi Koxias në Tuiter, kumtoi MIA.