Demokratja Ina Zhupa denoncon PS-në për krim elektoral.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Zhupa ka sjell rastin e “asfalteve elektorale” në lagjet nr1 dhe nr 2 në Sarandë.
“Shfaqja e drejtuesit politik të Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, krah kryetarit të Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi për inspektimin e ” asfaltit elektoral” që po hidhet në lagjet nr. 1 dhe nr. 2, të Sarandës është dëshmi e qartë e krimit elektoral”, shkruan Zhupa në Facebook.
Demokratja thekson se “Kodi Penal sanksionon se përdorimi i burimeve financiare dhe njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike apo kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale të dënueshme deri në tre vjet”.
Në fund të postimit Zhupa, i bën thirrje qytetarëve të Sarandës që më 11 Maj të votojnë PD-në, për t’i hapur rrugë sipas ndryshimit të vërtetë.
Postimi i plotë
“Çuçi-Çaçi, asfalt elektoral, karshillëk KQZ dhe SPAK!
Kodi Zgjedhor, ashtu si edhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ndalojnë përdorimin dhe vënien në mbështetje të partive politike dhe kandidatëve të tyre të aseteve publike.
Promovimi i projekteve dhe investimeve në infrastrukturë përbën shprehimisht veprimtari të ndaluar dhe funksionarët publikë lokal apo qëndror kanë për detyrë që të marrin masa për të shmangur veprimtari të tilla. Madje, Kodi Penal sanksionon se përdorimi i burimeve financiare dhe njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike apo kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale të dënueshme deri në tre vjet.
Por, siç duket ligji dhe organet ligjzbatuese nuk veprojnë ndaj Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj. Shfaqja e drejtuesit politik të Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, krah kryetarit të Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi për inspektimin e ” asfaltit elektoral” që po hidhet në lagjet nr. 1 dhe nr. 2, të Sarandës është dëshmi e qartë e krimit elektoral.
Karshilleku i hapur që përfaqësuesit e Partisë Socialiste i bëjnë KQZ-së dhe SPAK-ut, të cilët duken të pafuqishëm për t’i vënë fre paligjshmërisë, duhet t’i bëjë këto organeve të veprojnë menjëherë dhe me forcë ndaj kriminelëve recidivistë elektoralë.
Megjithatë, qytetarët e Sarandës, demokratë, socialistë apo pa parti qofshin, nuk gënjehen më nga këto manovra elektorale, që Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë shndërruar në një metodë pune në çdo palë zgjedhje.
Qytetarët e dinë më mirë se kushdo se hallet e tyre nuk zgjidhen më asfalt elektoral, me punime sa për sy e faqe a me premtime boshe, të cilat sapo bie një shi i merr përpara dhe i hedh në det, por me një program të detajuar dhe një ekip njerëzish të ndershëm, që më së miri e përfaqëson Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Prandaj, më 11 maj, sarandiotët do të votojnë 1-shin për t’i hapur rrugë ndryshimit të vërtetë.”