Që prej fillimit të pandemisë së ‘Covid-19’, në vendin tonë janë 55 mjekë dhe infermierë të vdekur si pasojë e komplikacioneve nga koronavirusi. Duke parë shifrën e lartë, edhe pse predispozimi nga virusi është më i lartë, komuniteti i mjekëve në Shqipëri herë pas herë ka ngritur pikëpyetje nëse mbrojtja e personelit ishte e mjaftueshme dhe nëse fatalitetet mund të parandaloheshin.
Viktima e fundit nga radhët e uniformave të bardha ishte mjeku i njohur i repartit të Neurologjisë, Drini Dobi. Doktor shkencash në Neurologji, dr. Dobi u infektua nga virusi SARS- CoV-2 në nëntor 2020 dhe u kurua fillimisht në spitalin Infektiv në Tiranë. Por gjendja e tij u rëndua dhe pas një fushate për mbledhje fondesh online, ai u transferua në Itali për trajtim të specializuar. Beteja e mjekut 51-vjeçar me COVID-19 u ndoq me ankth nga familjarët, pacientët dhe kolegët e tij në Shqipëri dhe diasporë, por ai nuk mundi t’i mbijetonte sëmundjes.
Por, Doktor Drini Dobi është vetëm një nga mjekët që Shqipëria humbi në vijën e parë të frontit.
Të dhënat e siguruara nga Urdhri i Mjekëve dhe ai i Infermierëve tregojnë se komuniteti i vogël i punonjësve shëndetësorë në Shqipëri është ndër më të goditurit nga pandemia e COVID-19 mes vendeve të Ballkanit.
Që prej shpërthimit të pandemisë deri ditën e djeshme, në vendin tonë 3.329 persona humbën jetën si pasojë e komplikacioneve nga virusi SARS-CoV-2. Mes viktimave janë edhe 55 mjekë dhe infermierë, të cilët nuk mundën të përballonin luftën me virusin, që e morën në krye të detyrës.
Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, 30 mjekë humbën jetën gjatë vitit 2020 dhe 16 të tjerë në valën e dytë të pandemisë mes janarit dhe marsit 2021. Ndërsa Urdhri i Infermierëve raporton për 9 infermierë të vdekur të moshave nga 29 vjeç në 63 vjeç prej fillimit të pandemisë.
Këto shifra tregojnë se pandemia vrau gati 0.31% të personelit shëndetësor prej gati 17 300 vetësh në Shqipëri- ose 2 herë mbi normën e Maqedonisë së Veriut dhe 4 herë mbi atë të Serbisë.
Gjermania po na i rrëmben:
Humbja e mjekëve dhe infermierëve nga pandemia e COVID-19 konsiderohet një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor shqiptar, që lëngon prej vitesh nga eksodi dhe mungesa e specialistëve të shëndetit publik.
Ky eksod është shtuar së tepërmi sidomos në dy vitet e fundit, kur shteti gjerman ka dalë hapur në kërkim të stafit mjekësor, sidomos atij nga Shqipëria, të cilët konsiderohen si tepër të kualifikuar në këtë drejtim, duke i joshur ata me paga të majme dhe me kontrata pune të vazhdueshme.
Kjo ka qenë si një goditje poshtë brezit për qeverinë shqiptare, e cila duhet thënë se nuk i ka marrë siç duhet masat për mbrojtjen e tyre, jo vetëm fizike, por edhe për mbështetje ekonomike.
Numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, i cili është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.
Largimi i stafit mjekësor, kryesisht në Gjermani, është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë ulje.
Një vrojtim i realizuar së fundmi tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13% e stafit mjekësor ka emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.
51 % e mjekëve janë përqendruar në Tiranë dhe në shumë rrethe të prapambetura të vendit ka mungesë të mjekëve specialistë. Ulja e mëtejshme e numrit të mjekëve dhe infermierëve, ashtu si dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre në territorin e vendit, po sjell jo vetëm përkeqësimin e treguesve shëndetësorë të popullsisë, por edhe valë të reja të emigrimit.
Shqipëria renditet e fundit në Europë dhe ndër të fundit në botë për numrin e mjekëve në raport me popullsinë, ndërsa ia kalojmë në numër vetëm vendeve afrikane. Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, mungesa e mbështetjes nga shteti, buxheti i ulët për shëndetësinë, mungesa e një strategjie për menaxhimin e sistemit shëndetësor kanë bërë që bluzat e bardha të largohen.
Bonusi 1 mijë euro nuk mjafton:
Në fokus të qeverisë, një nga masat që pritet të vijojnë të merren në mbrojtje të popullatës deri në përfundimin e pandemisë është edhe dhënia e bonusit nga 500 deri në 1 mijë euro për mjekët dhe infermierët në krye të fronit të luftës kundër koronavirusit.
Prej vitit 2020 kur nisi pandemia e Covid-19, për stafin mjekësor që ishin në vijën e parë për kurimin e pacientëve të infektuar, Ministria e Shëndetësisë nisi mbështetje e veçantë financiar ofruar nëpërmjet mekanizmit të bonusit prej 1,000 euro mbi pagën për të gjithë personelin mjekësor dhe 500 euro mbi pagën për personelin ndihmës.
Parashikohet që shpërndarja e bonusit për mjekët dhe stafin ndihmës mjekësor do të vazhdojë të ofrohet deri në përfundimin e pandemisë së COVID-19. Nga marsi i 2020 e deri më tani janë rreth 4,000 personel mjekësor kanë përfituar 1,000 euro bonus dhe mbi 1200 staf ndihmës kanë përfituar 500 euro bonus mbi pagën.
Por sa e mjaftueshme është kjo për të mbrojtur jetën e stafit mjekësor nga Koronavirusi e mbi të gjitha sa ndikon ‘1 mijë euroshi’ për t’i mbajtur ata këtu në vendin e tyre. Duke parë interesin në rritje të studentëve, por edhe punonjësve aktualë në sistemin shëndetësor për tu larguar nga vendi, pasi joshen nga paga super të larta në Evropë, mund të themi që kolapsi në shëndetësi sapo ka nisur.
Se cila është strategjia që do të ndjekë qeveria në këtë drejtim nuk po dëgjohet dhe as po ndihet në praktikë. A do t’i zëvendësojmë ata me mjekë e infermierë nga vendet e treat, apo do t’i mbajmë ‘me forcë’ këtu në vendin e tyre?
Kjo mbetet për t’u parë. E deri atëherë, na mbetet të themi: ‘Qofshim mirë me shëndet’!



