Rritja e çmimit të karburanteve ka ndryshuar edhe pamjen në komunikacion. Duke pasur parasysh se rreth 68% të automjeteve në vend janë me motor dizel, konsumi i derivateve ka nis të reduktohet shkaku i kostos, shkruan Alsat.
Kjo vërehet në trafikun e kryeqytetit, ku rëndom të premteve nuk ke mund të lëvizës, sot është gati bosh.
“Udhëkryqi më i ngarkuar i kryeqytetit është i përgjysmuar me trafik dhe ka rënie drastike të lëvizjes së automjeteve nga rritja e çmimit të derivateve. Por, veturat që shohim shumica e tyre janë veç shoferët”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.
“Jam në detyrë zyrtare prandaj e kam patjetër të vozis, bart njerëz se po të jetë vetëm për vete nuk të shpaguhet në ditët e sotme me këto çmime të karburanteve nuk ka llogari. E kam patjetër të punoj, a privatisht rroftë transporti publik, biçikleta apo këmbët e mia”, thotë një shofer.
“Më mirë është të mos përdoret fare makinat se kjo situatë nuk është në rregull. Duhet të ndryshohet!”, shprehet një shofer tjetër.
Taksitë si barometri më i mirë i trafikut në qytet thonë se janë duke punuar pa fitim. Disa e kanë lënë fare këtë punë ngaqë çdo ndezje e makinës thonë se i fut në borxhe.
“E kemi heq firmën lart nuk jemi duke punuar. Nuk kemi asnjë leverdi, vjet në këtë kohë nafta ka qenë 48 sivjet u bë afër 100 denarë. Nuk kemi llogari të punojmë. Qe 20 ditë nuk jam tu punuar hiç me pensionin e babës qashtu po jetojmë, vështirë është por më keq se nuk e dimë deri kur do të vazhdoj kështu”, u shpreh një taksist.
“Me rritjen e çmimit e kemi vështirë sepse startin me taksimetër e kemi 40 denarë, deri te Spitali shtetit arrin në 120 denarë por ke 4 km vajtje dhe 4km ardhje të kthehesh bosh, dmth 8 km gjiro dhe po ta shohësh me naftën i bie të jemi pa fitim”, thotë një taksist tjetër.
Qytetarët kanë filluar të mendojnë për mundësi tjera të udhëtimit. Në shtigje të shkurtër pak janë ata që përdorin biçikletat dhe trotinetet. Disa thonë se kanë nisur të ecin në këmbë me mijëra hapa në ditë.
“Më së mirë me autobus por sa të mundesh edhe të ecni. Për mua ecja është shkaku i krizës dhe arsyeve shëndetësore, unë jetoj në Zhelezara deri në Gazi Babë bëj nga 8mijë deri në 9 mijë hapa në ditë”, thotë një këmbësor.
“Derivatet kanë hipur, nuk mund të shkosh as në punë, kemi mbetur as andej e as këndej. Me zor se mbahemi me ndonjë punë që gjejmë sa më afër shtëpisë, se ndryshe nuk ia dalim”, shprehet një këmbësor tjetër.