Edhe pse erdhi mesazh i qartë nga Bullgaria se nuk do ta pranojnë propozimin e Portugalisë, megjithatë shefi i diplomacisë portugeze, Augusto Santosh Sillva u largua nga Sofja dhe Shkupi, duke i lënë hapësirë Bullgarisë që ta pranojë dokumentin deri më 22 qershor, kur pritet të mbahet Këshilli i Punëve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian në të cilin do të sillet vendim për Maqedoninë dhe Shqipërinë.
– Advertisements –
Pritet që në këtë datë Bullgaria ta përsërisë qëndrimin e saj lidhur me mospranimin e këtij dokumenti, por ta përsërisë edhe veton për start të negociatave të Maqedonisë me BE-në. Pas një jave, Portugalia do t’ia dorëzojë presidencën Sllovenisë për 6 muajt e ardhshëm. Por, çka në fakt përmban dokumenti i Silvës, të cilin Bullgaria fqinje e hodhi poshtë? Mediat bullgare publikuan disa pjesë të dokumentit, por një nga vërejtjet kryesore është gjuha maqedonase. Në dokumentin në fjalë thuhet se Maqedonia duhet të pajtohet se gjuha maqedonase ishte kodifikuar në vitin 1945, por për Bullgarinë është i papranueshëm fakti se nuk përmendet prejardhja e gjuhës, e cila sipas tyre është bullgare.
Më tej thuhet se autoritetet maqedonase duhet të përgatisin një Plan Aksionar për zbatim të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë.
“Autoritetet maqedonase të përpilojnë në Plan Aksionar ose udhërrëfyes me të cilin do të ndiqet zbatimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë përmes Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit”, thuhet në propozimin e Portugalisë.
Për Bullgarinë kjo gjë është e papranueshme sepse brenda procesit ata nuk do të mund të reagojnë nëse Maqedonia nuk i përmbush detyrat e saj. Propozimi i Presidencës portugeze parashikon të ketë deklarata të njëanshme të Maqedonisë dhe Bullgarisë, por për palën bullgare kjo është e kontestueshme sepse të dyja vendet kanë marrëveshje bilaterale për Fqinjësi të Mirë, e cila është dërguar në Kombet e Bashkuara. Deklarata janë paraparë edhe për emrin.
“Të dyja vendet të lëshojnë deklarata të njëanshme për emrin e gjatë – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe për emrin e shkurtër – Maqedonia e Veriut”, thuhet në propozimin e Portugalisë.
Sipas palës bullgare, propozimi për konfirmim të domethënies së Nenit 11 të Marrëveshjes përmes deklaratave të njëanshme nuk e obligon Maqedoninë ta ndërpresë politikën e saj për, siç thuhet, krijim të së ashtuquajturës pakicë maqedonase në Bullgari. Në këtë propozim janë theksuar edhe vijat e kuqe të cilat Maqedonia i vendosi lidhur me negociatat me Bullgarinë, kurse kjo për palën bullgare është e papranueshme, pasi siç thonë një vend-kandidat nuk është në pozitë të vendosë kufij deri ku mund të shkojnë negociatat me një vend-anëtar të Unionit.
Në dokumentin e Silvës përmendet edhe propozimi i cili kohëve të fundit po paralajmërohet me zë gjithnjë e më të lartë nga ana e BE-së – në bisedimet e Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike të kyçen edhe ekspertë të huaj për të ndihmuar në punën e komisionit. Por, Bullgaria as këtë nuk e pranon.