CIVIL shpreh neveri ekstreme dhe dënon aktin monstruoz të përdhunimit gjinor ndaj djemve, vajzave, vëllezërve, të afërmve të mitur, pasi institucionet kompetente njoftuan se brenda një dite janë regjistruar katër raste të fëmijëve të dhunuar.
Si një organizatë e përkushtuar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, CIVIL kërkon nga institucionet që të reagojnë urgjentisht dhe me vendosmëri dhe t’u ofrojnë viktimave të dhunës seksuale asistencë të plotë profesionale, mjekësore dhe psikosociale, dhe në të njëjtën kohë të ndërmarrin masa parandaluese dhe masat e sigurisë, raste të tilla të tmerrshme të mos përsëriten në të ardhmen.
Çdo fëmijë, pa asnjë përjashtim, ka të drejtën për një jetë dinjitoze dhe për të gëzuar të gjitha të drejtat e renditura në Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës. Fëmijët duhet të gëzojnë mbrojtjen e veçantë të parashikuar me ligj dhe mjete të tjera. Institucionet dhe të gjithë ata që janë përgjegjës në to kanë obligime ligjore që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe standardet për respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre, rikujton CIVIL.
Shteti dhe institucionet kanë detyrimin t’u sigurojnë fëmijëve zhvillim fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe social, një mënyrë jetese të shëndetshme dhe normale në kushte lirie dhe dinjiteti!
Në të njëjtën kohë, në njoftimin e saj, CIVIL kërkon nga organet e drejtësisë vendosjen e sanksioneve maksimale ndaj autorëve.