Greqia për herë të parë në mënyrë aq të vendosur tenton të gjejë zgjidhje të pranueshme për të dy palët për çështjen me emrin, me garanci se do të ketë zgjidhje përfundimtare, tha kryeministri grek Aleksis Cipras, pas takimit me kryetarin e Komisionit evropian, Zhan Klod Junker.
Siç njoftoi korrespodentja e MIA-s nga Athina, Cipras në konferencë për shtyp në Pallatin e Kryeministrisë, tha se me Junkerin nuk kanë biseduar vetëm për ekonominë, por edhe për ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe për Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për rolin e Greqisë në BE dhe rajon, kryeministri grek tha se vendi tregoi në vitet e fundit se duhet të luajë rol qendror në tentimin që Bashkimi Evropian në të ardhmen ta sendërtojë rolin e tij ndërkombëtar dhe rajonal si fuqi e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
Greqia, sipas Ciprasit, këtë e ka treguar përmes ballafaqimit me problemin e refugjatëve dhe “provokimeve” nga Turqia në Detin Egje, me tentimet për zgjidhjen e çështjes qipriote, me ndërtimin e iniciativave në rajon për perspektivë evropiane të Ballkanit Perëndimor, por edhe me përpjekjet për zgjidhjen e kontestit me emrin.
“Këtë e tregojmë, duke tentuar për herë të parë, në mënyrë aq të vendosur të gjejmë zgjidhje të pranueshme për të dy palët të çështjes me emrin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë me garanci se kjo çështje do të ketë zgjidhje përfundimtare”, tha kryeministri grek