Chelsea ka hapur një procedurë të brendshme disiplinore për Enzo Fernandez, pasi mesfushori kërkoi falje për filmimin e shokëve të tij të skuadrës në Argjentinë duke kënduar një këngë raciste për Francën pas fitores së tyre në finale të Kupës së Amerikës në fundjavë.
Lojtarët e Argjentinës po festonin në autobusin e ekipit të tyre pas fitores 1:0 ndaj Kolumbisë në finalen e Kupës së Amerikës, kur Fernandez po transmetonte një video live në “Instagram”.
Gjatë transmetimit të Fernandez, lojtarët e Argjentinës mund të dëgjohen duke kënduar dy rreshtat e parë të këngës, “në pasaportë, kombësi franceze, dëgjoni, përhapni fjalën, ata luajnë në Francë, por janë të gjithë…”, përpara se dikush të dëgjohet duke thënë: ndale videon”.
Kënga raciste dhe transfobike, e cila u këndua për herë të parë nga mbështetësit e Argjentinës gjatë Kupës së Botës 2022, pretendon se lojtarët e Francës janë “të gjithë nga Angola” dhe bën një referencë të turpshme për një marrëdhënie të raportuar midis Kylian Mbappe dhe modeles transgjinore Ines Rau.
Teksti i plotë i këngës është: “Dëgjo, përhape fjalën, ata luajnë në Francë, por të gjithë janë nga Angola, do të vrapojnë mirë, u pëlqen të flenë me njerëz trans, nëna e tyre është nigeriane, babai i tyre është nga Kameruni, por në pasaportë shkruhet: Francez”.
Në një deklaratë nga Chelsea sot në mëngjes thuhej: “Chelsea i gjen të gjitha format e sjelljes diskriminuese krejtësisht të papranueshme. Ne jemi krenarë që jemi një klub i larmishëm, gjithëpërfshirës, ku njerëzit nga të gjitha kulturat, komunitetet dhe identitetet ndihen të mirëpritur.
Ne e pranojmë dhe vlerësojmë faljen publike të lojtarit tonë dhe do ta përdorim këtë si një mundësi për të edukuar. Klubi ka nisur një procedurë të brendshme disiplinore”.
Në mesazhin e tij të faljes të postuar në Instagram, Fernandez tha: “Dua të kërkoj falje sinqerisht për një video të postuar në profilin tim në Instagram gjatë festimeve me kombëtaren. Kënga përfshin një gjuhë shumë fyese dhe nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këto fjalë. Unë qëndroj kundër diskriminimit në të gjitha format dhe kërkoj falje që jam kapur në euforinë e festimeve tona në Kupën e Amerikës. Ajo video, ai moment, ato fjalë, nuk pasqyrojnë bindjet apo karakterin tim. Më vjen vërtet keq”.
23-vjeçari luan së bashku me disa bashkëlojtarë francezë me ngjyrë në Chelsea, duke përfshirë Benoit Badiashile, Axel Disasi, Wesley Fofana, Malo Gusto, Christopher Nkunku dhe Lesley Ugochukwu.