Edhe ditën e sotme, ka munguar për të tretën herë dëshmitari kyç, Nuel Kalaj që ka negociuar për privatizimin e OSSH tek CEZ.
Kryetari i Komisionit, Taulant Balla përsëri i ka kërkuar policisë së shtetit dhe asaj të Tiranës ta sjellin me forcë sapo të shkelë në tokën shqiptare, duke qenë se rezulton jashtë vendit.
Balla i është drejtuar me një kërkesë për paraqitjen në cilësinë e dëshmitarit dhe ish-drejtorit të CEZ, Hejsek.
Më herët ky Komision ka admnistruar llogaritë bankare të shtetasit Kalaj nga një bankë e nivelit të dytë, për transferta bankare disa miliona euro.
Pak ditë më parë, Balla ka cituar një nga email-et në fjalë, i cili sipas tij tregon se si kompania çeke u favorizua duke lehtësuar kriteret përzgjedhëse. “Në mënyrë të çuditshme, borxhi i keq për CEZ ndryshoi nga 4 në 14 për qind, në dëm të shtetit shqiptar”, ka thënë Balla.
Ai ka shtuar se, në këtë email citohen edhe kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha. “Berisha është larguar nga Shqipëria më 28 janar dhe ne do të vërtetojmë nëse është larguar me të vërtetë”, ka vijuar Balla.
Ai ka shtuar se, do të bëhen kontrolle edhe për transfertat bankare të bëra mes CEZ dhe sekserit Kalaj, si dhe lëvizjet e tij përmes mbikëqyrjes së sistemit TIMS. “Për të verifikuar nëse paratë e tërhequra kanë mbetur në Shqipëri apo janë nxjerrë jashtë me çanta”, ka shtuar Balla.
23 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)