Kreu i Komisionit Taulant Balla ka folur jashtë ambienteve të Kuvendit, pas përfundimit të mbledhjes, ku dëshmoi dhe djali i ish kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha.
Balla tha se Nuel Kalaj dhe Shkëlzen Berisha kanë përfituar 7 milionë dollarë nga privatizimi i CEZ.
“Ishte një seancë e programuar dëgjimore me 3 dëshmitarë, ku 2 prej të cilëve janë dëshmitarë kyç. Jemi në një fazë që po hetojmë një transaksion bankar, pas firmosjes së privatizimit të CEZ. Transaksioni është zhvilluar në 16 qershor nga një bankë me qendër në Ceki me një bankë të nivelit të dyte në Shqipëri. Është një person i përfshirë që quhet Nuel Kalaj që luan rolin e sekserit. Ky person ka pasur lidhje të forta me autoritetet dhe me kryeministri e asaj kohe, Sali Berisha.
Në një prej e-maileve tregohet edhe emri i Shkëlzen Berishës si i përfshirë. Përveç Nuel Kalajt duhet të merrej dhe dëshmia e Shkëlzen Berishës. Është përcaktuar edhe procedura për të dhënë dëshminë. Për fat të keq të 3 dëshmitarët nuk e kanë zbatuar. Nuel Kalaj nuk është paraqitur, kurse Sali Berisha nuk është përgjigjur fare dhe nuk është betuar. Dhe personi tjetër, Shkëlzen Berisha nuk pranon të bëjë dëshminë dhe kjo e bën të pavlefshme dëshminë e tyre. Këta të 3 janë dakordësuar për të mos lejuar punën e komisionit. Kalaj dhe Sali Berisha janë pjesë e rëndësishme e hetimit. 7 milionë euro janë marrë nga Nuel Kalaj dhe bashkëpunëtorët dhe mund të quhet një sekser”, tha Balla.
1 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)