Zeqirija IBRAHIMI
Referendumi ishte tema më aktuale gjatë javës së kaluar dhe gjatë këtyre ditëve, ndërsa sigurisht e tillë do të jetë edhe gjatë javëve ardhshme në vijim. Gjithsesi opinioni nuk do të mbetet indiferent ndaj faktit se gjatë stinës së vjeshtës qytetarët e Republikës së Maqedonisë (të cilët tani duhet të jenë edhe maqedonas të veriut dhe qytetarë të Republikës së Maqedonisë) do t’u parashtrohet pyetja e referendumit, për të cilën në këtë periudhë po bisedohet dhe për të cilën dje nuk është arritur marrëveshje ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Pasi referendumet edhe ashtu organizohen rrallë, një pjesë e rëndësishme e debatit është edhe pyetja e referendumit. Andaj, edhe metatitulli i kësaj kolumne nënkupton se tema e pyetjes së referendumit nuk është ndonjë çështje e thjeshtë, edhe pse është vetëm një njësi gjuhësore, një fjali pyetëse.
Sa për përkujtim, „gabimi“ gjatë formulimit të pyetjes së referendumit në vitin 1991 „A jeni për shtet sovran dhe të pavarur të Maqedonisë, me të drejtë për të hyrë në ndonjë aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?“ nga distanca e sotme kohore mund të interpretohet se Maqedonia, kurdo që të dëshirojë, vetëm me vendim të Kuvendit, mund të hyjë në ndonjë aleancë me Serbinë (pasi nuk kufizohet me ish republikat e tjera të Jugosllavisë, ndërsa Kosova gjatë shpërbërjes së RSFJ-së nuk ka pasur status të njohur të republikës).
Frika nga APJ-ja
Sipas kësaj pikëpamjeje, shqiptarët (dhe/ose komunitetet e tjera në Maqedoni, të cilat aspak nuk do të pajtoheshin të jenë nën „kulmin e njëjtë“ me Serbinë) kanë të drejtë legjitime ta kontestojnë formulimin e pyetjes së atëhershme të referendumit. Sigurisht, për ta pyetja më adekuate e referendumit do të ishte: „A jeni për shtet sovran dhe të pavarur të Maqedonisë?“ pa kurrfarë shtese dhe kushtëzimi. (Edhe pse isha i ri, e mbaj mend shumë mirë se partitë e atëhershme politike shqiptare e bojkotuan referendumin, me arsyetimin se nuk ishin marrë parasysh kërkesat e tyre politike, por mendoj se vërejtja kryesore ishte dashur të jetë: si mund të pyesim, njëkohësisht, nëse duam të jemi edhe të pavarur dhe – sipas nevojës – edhe të varur?)
Edhe pse e di se tani nuk është momenti i duhur për hapjen e kësaj teme, përsëri dua të theksoj se edhe fjalia më e thjeshtë ose një togfjalësh përmban në vete një kontekst të caktuar. Në të vërtetë, gjuha është materie e gjallë, e cila nuk mund të studiohet pa kontekst, përkatësisht studimi i gjuhës pa kontekst është studim i zbrazët strukturalist, që nuk i përfshin të gjitha kuptimet e saj të mundshme.
Pra, ata që kanë memorie të mirë, e dinë se në vitin 1991 në Maqedoni ende ka qenë APJ-ja – Armata Popullore e Jugosllavisë (u tërhoq në prill të vitit 1992) dhe pyetja e atëhershme e referendumit me mundësinë implicite se „ndonjëherë Maqedonia mund t’i kthehet Serbisë“ konsideroj se ishte me qëllim që mos të hidhërohet Serbia dhe ta bëjë atë që e bëri në Slloveni, Kroaci e, më vonë, edhe në Bosnjë. Kjo do të thotë se pyetjet e tilla kanë ndonjë kontekst, madje janë të lidhura ngushtë me gjërat kruciale të shtetit.
Sipas kësaj, mund të konstatojmë se po mos të ishte nevoja për hyrjen nën „ombrellën“ e NATO-s dhe për fillimin e negociatave me BE-në, të cilat janë mbijetesa dhe perspektiva e Maqedonisë (njëri nga liderët partiakë në takimin e liderëve paska thënë „nëse nuk kalon referendumi, ditët tona janë të numëruara“), askujt në Maqedoni nuk do t’i shkonte ndër mend se shteti duhet ta ndërrojë emrin, që për të t’i pyesë qytetarët etj.
Kjo do të thotë se pyetja e referendumit është në lidhje dhe në kontekst të integrimeve euroatlantike dhe vetëm në kontekst të tillë ka kuptim të parashtrohet. Thuajse në asnjë kontekst tjetër atë nuk do ta parashtronte askush, pos nëse do të kishte ndonjë nevojë tjetër të brendshme.
Pragmatika e gjuhës
Kur flasim në temën e tekstit dhe kontekstit, edhe kësaj radhe duhet ta pranojmë kontekstin. Nëse shqiptarët, edhe pse e bojkotuan referendumin për shkak të vërejtjeve të tjera, por e njohën Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, këtë e bëri edhe Republika e Shqipërisë (më vonë edhe Republika e Kosovës), nuk e di përse disa maqedonas nuk duan ta kuptojnë kontekstin e lëvizjeve të tanishme gjeopolitike dhe implikimeve të tilla në vend. Do të themi shkurt se fqinji ynë verior, siç duket, që të njihet si shtet, do të duhet të pranojë ndarjen e pjesës së veriut të territorit të vet. Nuk e di nëse maqedonasit kanë menduar se cila do të jetë përgjigjja e shqiptarëve (dhe e të tjerëve) në Maqedoni nëse në shtetin tonë nuk kalon referendumi dhe nëse, pastaj, vendi nuk hyn në NATO, tërë kjo në kontekst të ndryshimeve të reja të kufijve në rajon?! Dhe, ky është një kontekst që duhet të kihet parasysh kur parashtrohet dhe kur jepet përgjigje në pyetjen e referendumit. Më së paku do të doja që kjo të kuptohet si zhvatje, sepse edhe për nga natyra jam për mirëkuptim dhe dialog të ndërsjellë, por dua të theksoj se edhe kjo është një rrethanë e rëndësishme, e cila duhet të merret parasysh.
Mirëpo, t’i kthehem gjuhësisë. Një disiplinë më e re gjuhësore, gjithsesi, është edhe pragmatika, e cila merret me gjuhën në përdorim. Kështu në “Pragmatikën e gjuhës shqipe” (libër universitar) të profesorit nga Tirana (mentorit tim), Xhevat Lloshi, ekziston një shembull shkollor për atë se çka është pragmatika, të cilin e përdor gjithnjë kur dua të shpjegoj se çka është ajo. Në një stacion hekurudhor arrin një njeri me vrap të shpejtë, shikon përreth dhe e pyet një njeri tjetër, i cili është duke pritur në ulëse: “Sa është ora?” “Ah, sapo iku treni.”, i përgjigjet tjetri.
Pritja është e mërzitshme dhe e paparashikueshme. Pragmatika na mëson se „nëse nuk e kapim trenin“, nuk është me rëndësi pastaj se sa është ora.