Uji mungon, mbeturinat në çdo anë, ndërsa nëse nuk paguhen faturat për këto, menjëherë bllokohen llogaritë me përmbarues. Këto janë problemet me të cilat po ballafaqohen për momentin banorët e fshatit Cërnilishtë të Komunës së Dollnenit. Gjatë bisedës me kryetarin e bashkësisë lokale të Cërnilishtës dhe me banorët, ata shprehen tepër të shqetësuar sepse zyrtarët nuk po ju dalin në mbrojtje. Kryetari i fshatit Ismailaki Ibrahimi por edhe banorët thonë se 2200 banorët e fshatit nuk kanë ujë cilësor, një pjesë e fshatit vazhdimisht i ka çesmet pa ujë, ndërsa për mospagesën e faturave komuna ua bllokon llogaritë me përmbarues.
“Tash dimrit na ndalin, edhe çmimin na kanë hypur, kur e morën ata e kishim 27 denarë që ishte çmim shumë i shtrenjtë, bëmë lutje tek Komuna, ata e ulën 22 denarë, nuk shkoj një periudhë katër a pesë muaj, prapë e hypën 27 denarë, çmimi është shumë i lartë, edhe nuk e kemi kualitet, shpesh herë dimrit e kemi ujtin e ndalur. Kemi kërkuar që ne si fshat të lidhemi me Sturiçicën që ka ujë kualitativ, por ajo thotë është projekt i madh që nuk mund ta realizojë komuna”, ka thënë Ismailaki Ibrahimi, kryetar i f. Cërnilishtë për TV SHENJA.
Edhe për ujin edhe për mbeturinat, banorët nuk janë të kënaqur dhe nuk i paguajnë faturat, por ua bllokojnë me përmbarues llogaritë”.
“Çmimi ma i shtrenjtë është prej Studençicës a nuk është për të pirë, 27 denarë, plus 40 denarë për mirëmbajtjen e ujtit, është i shtrenjtë. Mahllët më lartë nuk kanë ujë, ndërsa ne poshtë kemi tash për tash”, deklaroi një banor.
“Unë si banor dhe krejt katundi kemi dhe jo vetëm unë, kemi shumë problem me ujtin, mos bëjmë fjalë për kanalizimin. Ku të shkojmë gjithandej pis e kemi katundin. Ku është problemi nuk e di. Gabim i madh është që e dhamë ujin tek komuna, edhe ma zi e bomë”, tha një banor tjetër.
“50 a 60 % në fshat jemi në gjendje katastrofale me ujin. Ndokush në mëhallën e poshtme ka pak ujë por ne s’kemi pasur as verës as dimrit, kush e ka pasë bunarin tek shpija mirë kush nuk e ka ka ngarkesë të madhe. 90 për qind në muallën time që janë në anën e epërme nuk e kemi ujtin as verës as dimrit”, u shpreh një banor tjetër.
Problemi tjetër është edhe mospastërtia e fshatit. Kryetari Ismailaki Ibrahimi thotë se çmimin për pagesë ua rritën, ndërsa ankesat dhe kërkesat e banorëve komuna nuk i merr parasysh.
“Problem më i madh është edhe pastrimi i fshatit, ku kemi bërë marrëveshje me komunën, sepse kishte vetëm tetë kontejnerë, por nuk mjaftojnë se fshati jonë është i madh 400 shtëpi, bëmë lutje si bashkësi lokale por nuk i shtuan kontejnerët që të organizojmë më mirë pastrimin e fshatit, por na shtrenjtuan pagesën prej në 100 denarë na blenë 150 denarë”, tha Ismailaki Ibrahimi, kryetar i f. Cërnilishtë.
“Kontejnerë kemi 4 për mbeturina, një ka pasur këtu dhe një andej, ndërsa kam paguar llogari të bllokuar për përmbarues që nuk kemi paguar mbeturinat”, deklaroi një banor.
“Ato kontejnerët i paguajmë a s’kishim ku t’i çojmë larg dikundi”, u shpreh një banor.
Kryetari i fshatit thotë se kanë kërkuar me 400 nënshkrime që komuna të heq dorë nga pastrimi i fshatit, por përsëri u bllokohen llogaritë për mospagesën e faturave. Problem tjetër, sipas cërnilishtasve është edhe kanalizimi i fshatit i cili është nisur por nuk është përfunduar, madje komuna u ka thënë se nuk kanë mundësi as t’u ndërtojnë stacion filtrues. Kryetari i Kominës së Dollnenit Bozhe Boshkovski ishte i pakapshëm për të dhënë qëndrimin e tij rreth problemeve që paraqitën banorët e Cërnilishtës.