ëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavuşoğlu, i cili ndodhet për vizitë në Maqedoni me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në këtë vend, që shënohet më 21 dhjetor, tha se rajonet të cilat kanë lidhje shpirtërore me Turqinë kanë rëndësi të veçantë, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të projektit për riparimin dhe pajisjen e Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar, që janë kryer në kuadër të bashkëpunimit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me Unionin e Bashkive të Turqisë (TBB).
Në një fjalim të mbajtur me këtë rast, Çavuşoğlu shprehu kënaqësinë për praninë e tij në këtë ceremoni bashkë me qytetarët e Gostivarit, duke bërë të ditur se arsimi është një prej kushteve të domosdoshme për zhvillimin dhe progresin e individit dhe të shoqërive.
“Ne duhet ta marrim edukimin si një prioritet të lartë nëse duam që fëmijët tanë të jenë pjesë e konceptit tonë të qytetërimit, dhe që ata me dituri, me vullnet dhe besim të jenë të suksesshëm në secilën fushë”, tha ai.
Çavuşoğlu theksoi se besojnë që edhe Maqedonia edhe Turqia e meritojnë më të mirën, duke shtuar se në ditët e sotme mund të vërehen individë dhe popuj që duke punuar kanë arritur në majën e dijes, letërsisë, artit dhe sportit.
“Jemi trashëgimtarë të një qytetërimi të vjetër i cili bart qendrat më të rëndësishme të kulturës dhe shkencës në botë, nga Konja deri në Semerkand, nga Bursa në Kurtuba, nga Edirneja në Bagdad dhe nga Stambolli në Shkup. Është detyrë e jona e përbashkët që të japim më shumë përpjekje pa ndonjë justifikim. Nëse nuk rimëkëmbet dituria, do të vëreni se të tjerët do të diktojnë fatin e popujve tanë”, u shpreh Çavuşoğlu, duke potencuar se rajonet që kanë lidhje shpirtërore me Turqinë kanë rëndësi të veçantë.
“Ne këtë në Turqi e kemi përjetuar njërin nga shembujt më të dhimbshëm dhe më konkretë me tentativën për grusht shteti më 15 korrik në vitin 2016. Anëtarët tradhtarë të FETO-s u përpoqën që t’i jepnin një drejtim, të okuponin Turqinë. Kjo tentativë përfundoi me fitoren e popullit i cili zbriti nëpër sheshe me thirrjen e presidentit”, theksoi Çavuşoğlu.
Ai tërhoqi vëmendjen mbi organizatën terroriste FETO, për të cilën tha se nuk synon vetëm Turqinë, porse është vënë në përdorim për dizajnimin e vendeve në mbarë botën.
“Është një dinamit i vendosur në çdo vend ku është sot aktiv. Është detyrë e jona njerëzore të paralajmërojmë nga shpërthimi i dinamitit. Sepse kur ai të shpërthejë, mund të mos ketë më një vend që ju ta mbroni. Kjo është një organizatë terroriste e bazuar në një strukturë të inteligjencës. Ajo e vazhdon ekzistencën e saj në mënyrën më të fshehtë, të ndarë në grupe të ndryshme. Ata fshehin të gjitha aktivitetet terroriste nën një maskë të pafajshme, siç është arsimi. Duhet të vlerësohen me kujdes nga të gjitha vendet mijëra provat nga dosjet e gjykimeve që zhvillohen në Turqi, ose, për fat të keq, do të jetë shumë vonë kur organizata të ketë marrë komandimin e vendit”, tha zëvendëskryeministri turk.
“Në ndërtesat që duken si kolegje, të ndërtuara gjoja për arsim në Turqi, janë gjetur pjesë ku nëpërmjet kalimeve të fshehta kalohet në ambiente ku janë kryer takime të errëta. Është zbuluar se aktivitetet terroriste janë kryer në pjesët e mbyllura që hapen me mekanizma të fshehura. Këto strofka të terrorit nuk janë identifikuar vetëm në një ose dy shkolla, por në dhjetra ndërtesa. Të jeni të sigurtë se ata zhvillojnë këto aktivitete të errëta në çdo vend ku ndodhen”, paralajmëroi Çavuşoğlu.
Ai tha se nuk dëshirojnë që përvojat e hidhura që përjetoi Turqia më 15 korrik të përjetohen edhe në vende të tjera, duke shtuar se paralajmërimet e tyre i shohin si detyrë njerëzore.
“Ne e vërejmë se kjo organizatë e cila komandohet prej përtej oqeanit, përpiqet të vazhdojnë aktivitetet duke u përhapur në të gjithë botën. Dua të them se në rrezik janë të gjtiha ato vende ku këta terroristë vazhdojnë aktivitetet e tyre të errëta”, theksoi ai.
Ndërkaq, duke folur për projektin e riparimit të Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, Çavuşoğlu tha se kjo shkollë është një nga institucionet e mëdha dhe të suksesshme që ofron arsim në gjuhën turke, por po ashtu edhe në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
“Shkolla Fillore ‘Mustafa Kemal Ataturk’, e cila ofron shërbim në fushën e arsimit dhe edukimit për 100 nxënës në Gostivar, është pajisur me kushte më të përshtatshme për një arsim më cilësor dhe më të kualifikuar”, tha Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu u përcolli qytetarëve të Gostivarit edhe përshëndetjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, dhe ua uroi 21 Dhjetorin, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni.
Nga ana tjetër, Adnan Kahil, ministër pa resor me origjinë turke në Maqedoni përgjegjës për investimet e jashtme, tha se hapja e Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” është kryer në një kohë të rëndësishme, siç është 21 Dhjetori, Dita e Arsimit në Gjuhën Turke.
Gjithashtu, edhe kryetari i TIKA-s, Serdar Çam, pasi ka uruar Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, ka shprehur falënderime për qeverinë e Maqedonisë që ka ofruar një mundësi të tillë.
Duke rikujtuar se është realizuar një projekt prej mbi një milion eurosh me punimet e kryrera në shkollë, Çam tha se edhe në periudhat në vazhdim do të realizojnë projekte të ngjashme.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, tha se për qytetin nuk mund të ketë një ditë më të lumtur sesa hapja e një shkolle dhe falënderoi TIKA-n dhe TBB-në për punimet që kanë kryer.