Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavuşoğlu, i cili ndodhet në Maqedoni me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, që në këtë vend shënohet më …
Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavuşoğlu, i cili ndodhet në Maqedoni me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, që në këtë vend shënohet më 21 dhjetor, tha se bashkëjetesa vëllazërore dhe miqësore e njerëzve me identitet, kulturë dhe të kaluar të ndryshme, është mesazh i bukur që mund t’i jepet botës, raporton AA.
“Megjithatë, ka prej tyre që dëshirojnë ta prishin këtë vëllazëri dhe qetësi në rajon”, tha Çavuşoğlu duke folur para gazetarëve pas inagurimit të Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në qytetin e Gostivarit, e cila u riparua dhe u pajis në kuadër të një bashkëpunimi të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me Unionin e Bashkive të Turqisë (TBB).
“Lufta kundër FETO-s është shumë e rëndësishme. Tentativa për grusht shteti më 15 korrik në Turqi nuk synoi vetëm Turqinë. Kjo organizatë përbën rrezik dhe kërcënim për secilin shtet në të cilin është aktive”, shtoi Çavuşoğlu.
Ai tha se vazhdojnë t’i paralajmërojnë autoritetet e të gjitha shteteve ku organizata terroriste FETO ka aktivitete, pasi që siç tha, Turqia përjetoi përvojë të hidhur nga ajo. Çavuşoğlu e cilësoi FETO-n si një dinamit në shtetet ku zhvillon veprimtari.
“Mund të mos keni vend për ta mbrojtur nëse ky dinamit një ditë shpërthen”, tha zëvendëskryeministri turk.
Duke iu drejtuar shteteve në të cilat FETO është aktive, Çavuşoğlu kërkoi që të paktën të vlerësohen mijëra provat që kanë dalë nga proceset gjyqësore të zhvilluara në Turqi.
“Nevojitet luftë serioze këtu kundër kësaj organizate”, shtoi ai.
Çavuşoğlu rikujtoi se tentativa për grusht shteti nga FETO në Turqi ishte zbrapsur me daljen e qytetarëve në sheshe me thirrje të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, por siç tha, sipas tyre ende vazhdon rreziku në shtetet ku organizata zhvillon veprimtari.
“Ne do t’i paralajmërojmë shtetet mike dhe vëllazërore dhe do të presim nga ta që të mendojnë dhe të hedhin hapat e duhur”, tha Çavuşoğlu.
Ndërkaq, i pyetur në lidhje me lajmet e plasuara më parë në media lidhur me ekipin atentator të FETO-s në Maqedoni, Çavuşoğlu tha: “Këto janë lajme të publikuara në disa gazeta. Ne përmes ambasadës i drejtohemi qeverisë së Maqedonisë dhe autoriteteve shtetërore. Shteti i Maqedonisë është duke i zhvilluar hetimet e nevojshme mbi atë se sa këto janë të vërteta”.