Gjykata themelore Shkupi 1 për më 24 janar ka caktuar fillimin e procesit gjyqësor për rastin “TNT” ku akuzohen ish kryeministri dhe lider i VMRO-së Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish kryetari i komunës së Gazi Babës Toni Trajkovski dhe katër veta tjerë, transmeton Medial.mk.
Ky rast së pari i ishte ndarë gjykatësit Ivica Stefanovski që ka gjykuar lëndën për ”Monstrën”, ndërsa me ndryshimet e reja në orarin e gjykatësve ai është vendosur në sektorin për të mitur. Pas hyrjes në fuqi të kësaj, për rastin “TNT” duhet të emërohet gjykatës i ri.
Gjykata penale në nëntor të vitit të kaluar e pranoi aktakuzën e PSP-së për rastin “TNT” që ka të bëjë me rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit dhe kryetarit të Partisë për ardhmëri evropiane (PAE) Fiat Canoski.