Sot, në seancën e rregullt të Këshillit të Komunës së Çairit, u miratua propozimi për shpalljen “Qytetarë Nderi” të z. Joseph John DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi. Ky është një vendim me karakter të thellë etik dhe historik, përmes të cilit Komuna jonë nderon dy figura të shquara që kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe në përfaqësimin e denjë të kauzës sonë në skenën ndërkombëtare.
Joseph DioGuardi, si shqiptaro-amerikani i parë në Kongresin amerikan, dhe Shirley Cloyes DioGuardi, si aktiviste e zëshme për të drejtat e njeriut, kanë qenë për dekada zë i fuqishëm dhe mbështetje e palëkundur për çështjen shqiptare në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë hapësirën etnike. Ata kanë dëshmuar me vepra, jo me fjalë, se miqësia me popullin shqiptar është pjesë e bindjeve të tyre të thella për drejtësi dhe barazi mes kombeve.