Në kuadër të edicionit të 19-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Skupi”, Komuna e Çairit mirëpriti përfaqësuesit e ansambleve folklorike nga Meksika, Turqia, Paraguaji, Sllovakia, Bullgaria, Kili, Qiproja Veriore dhe Maqedonia e Veriut. Ky takim festiv dhe ndërkulturor u zhvillua në ambientet e komunës, ku pjesëmarrësit u pritën nga kryetari Visar Ganiu.
Me këtë rast, kryetari i komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes organizimeve të tilla:
“Çairi është një komunë që i jep vlerë bashkëjetesës dhe kulturës. Prandaj, për ne është nder që të presim artistë nga mbarë bota, të cilët me këngë dhe valle përcjellin identitetin dhe historinë e popujve të tyre. Kultura është ura më e fortë që lidh kombet përtej gjuhëve dhe kufijve.”
Gjatë takimit, përfaqësuesit e ansambleve ndanë përvojat e tyre dhe shprehën mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer të festivalit. Në përmbyllje, z. Ganiu ndau certifikata simbolike falënderimi për secilin ansambël pjesëmarrës, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.
“Me këto certifikata, nuk japim vetëm një falënderim, por dërgojmë një mesazh miqësie dhe respekti. Çairi mbetet një vend i hapur për të gjithë ata që përmes artit ndërtojnë ura mirëkuptimi.”, u shpreh Ganiu.
Festivali “Skupi” mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme folklorike në vend, i cili jo vetëm promovon kulturën tradicionale, por edhe nxit dialogun dhe afërsinë mes kulturave të ndryshme botërore.