Rrugët dhe hapësirat publike në territorin e komunës Çair janë të mbushura me mbeturina edhe pse nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, pohojnë se mbledhja e mbeturinave në këtë pjesë të qytetit bëhet gjashtë herë në javë, njofton Almakos.
Kontejnerët për grumbullimin e mbeturinave janë të vjetruara dhe të dëmtuara prandaj mbeturinat derdhen dhe ndotin ambientin përreth. Gjendjes së keqe higjienike në komunë i kontribuojnë edhe qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët mbeturinat e tyre nuk i depozitojnë nëpër vendet e duhura, por i derdhin nëpër hapësira publike, rrugë, trotuare dhe parqe.
Qytetarët janë të ndarë lidhur me papastërtinë në komunën Çair. Një pjesë bëjnë përgjegjëse komunën dhe ndërmarrjen komunale, ndërsa disa të tjerë fajësojnë vetë qytetarët, të cilët nuk kujdesen për higjienën publike.
Një banor i moshuar i Çairit thotë se gjendja që është nuk ka nevojë për koment.
“Një javë e kanë humbur kinse po mbledhin dhe pastrojnë gjethet. Ata vijnë këndej vetëm sa për të thënë se kanë qenë, thënë ndryshe vetëm vijnë të fotografohen e jo të punojnë. Një park e kemi edhe atë jo si duhet, mungon çezma, nuk ka VC publike e shumë gjëra tjera”, tha banori.
Një qytetar tjetër, pushues në parkun e Çairit thotë se fajtor për mungesën e higjienës, çezmave dhe VC-ve publike janë vet qytetarët.
“Nuk mund të them se ata nuk angazhohen fare, fajtor për këtë gjendje të parkut është popullata, sepse në të gjitha dhe vendet tjera, mbeturinat nuk hidhen nëpër tokë.
Një tjetër banor tha se gjërat kanë filluar të ndryshojnë në aspekt pozitiv pas një kohe shumë të gjatë.
“Ka filluar pak të ndryshojë gjendja, më herët ishte shumë katastrofë, kanë filluar të punojnë”, tha pushuesi për Almakos.
Mevludin Imeri
Almakos