Në komunën e Çairit u promovua libri kushtuar dëshmorit, Gazmend Avdi Arifi, me titull “Dëshmori i datëlindjes Gazmend Avdi Arifi”.
Autori, njëkohësisht edhe familjar i dëshmorit, vendosi të promovojë librin pikërisht në ditën kur ra dëshmori në altarin e lirisë, edhe atë pikërisht në ditën kur duhej të festonte ditëlindjen.
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se “dëshmorët dhe sakrifica e tyre gjithmonë duhet përkujtuar sepse ata ranë që ne sot të jetojmë të lirë”.
“Dëshmorët e kombit mbesin të përjetshëm, ata jetojnë në kujtimet e bashkëluftëtarëve dhe familjarëve në këngë e në libra. Pikërisht këtu sot jemi mbledhur në komunën e Çairit për të promovuar librin me titull “Dëshmori i datëlindjes Gazmend Avdi Arifi” të autorit, Femi Arifi, për të hedhur dritë mbi jetën, atdhedashurinë dhe trimërinë e një djali të ri siç ishte Gazmend Arifi”,- deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Një ditë e dhimbshme, por plot krenari është dita e sotme për familjen Arifi, theksoi vëllai i dëshmorit, Aziz Arifi.
“Kjo ditë për familjen dhe për ne është e dhimbshme, mirëpo më shumë ndjehemi krenarë për këtë ditë sepse deri sot para 17 viteve Gazmendi ishte vëllai ynë, pas 16 marsit 2001 është vëllai juaj, andaj kujdesuni për të dhe për të gjithë dëshmorët e rënë”,- u shpreh vëllai i dëshmorit Gazmend Avdi Arifit, Aziz Arifi.
Në këtë promovim dhe akademi përkujtimore ishin të pranishëm veteranë të luftës, familjarëve të dëshmorëve, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, Fazli Veliu, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të komunës së Vitisë, Safit Ademi, dhe personalitete tjera.