Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili edhe zyrtarisht është kandidat i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, reagon ndaj kritikave të kundërkandidatit të tij Bujar Osmani, rreth ndërtimeve pa leje dhe problemet urbanistike në Çair. Mexhiti tha se më së paku mund të kritikojë Bujar Osmani që jeton në shtëpi të ndërtuar pa leje.
“Të gjithë mund të flasin, por më së paku Bujar Osmani mund të flet për ndërtimet të egra sepse në shtëpinë ku jeton është ndërtim i egër. Nëse mund të kemi toleruar dhe atë që e ka bë bërë vete, nuk dëshiron t’ua tolerojë rasteve sociale, rasteve që mezi dalin në fund me rrogat e tyre mujore dhe nuk kanë zgjidhje tjetër. Ka pasur raste në të kaluarën ku ka ardhur prindi ka dhënë nëse nuk më lejohet ta shtoj shtëpinë apo banesën jam i detyruar që fëmija të largohet apo të mos martohet, pasi nuk ka pasur kushte për jetesë”, tha Izet Mexhiti, VLEN.
I pyetur rreth akuzave të BDI-së se nuk jeton në Çair, por në Butel, Mexhiti duke theksuar se gjatë gjithë këtyre viteve jeton në Çair, shkurt u përgjigj:
“Janë çështje teknike. Kam lindur dhe jetoj të gjithë këto vite në Çair”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Mexhiti, tha se në zgjedhjet lokale të tetorit, bartës liste për këshilltar në Çair do të jetë Muhamed Murtezi me profesion doktor, ndërsa është aktiv në shoqërinë civile./ Alsat.mk