Organi i cili do ta bëjë procesin e vetingut në gjyqësor, prokurori, polici, ushtri, politikë etj., duhet të jetë i pavarur, i përbërë nga njerëz të cilët e njohin mirë këtë materie, thotë në një prononcim për Indeks.mk ish-gjyqtarja në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska.
“Ai organ i cili do ta zbatojë procesin e vetingut duhet të jetë i përbërë nga njerëz të pavarur, me njerëz të cilët e njohin në tërësi këtë proces. Ndërsa sa i përket vetingut të politikanëve, disa çështje mund të hetohen edhe tani, por problem është në mënyrën e hetimit. Ai mund të jetë ndonjë aksion, ndonjë aktivitet, megjithatë me këtë çështje duhet të merret prokuroria. Si mund të presim që prokurorë dhe gjykatës të caktuar të pastrojnë me atë kriminalitet, nëse edhe ata janë të inkriminuar. Para se gjithash duhet të pastrohen dhe të përfshihen në veting pikërisht këto institucione”, deklaroi Caca Nikollovska
Ajo thotë se kur bëhet fjalë për vetingun në politik, duhet të kemi parasysh se politikanët nuk janë vetëm në Qeveri dhe Parlament. “Politikanë nuk janë vetëm funksionarët që janë në Qeveri dhe Parlament. Ka edhe në pushtetin lokal dhe jashtë partive politike. Ndikimi i tyre po ashtu është shumë i rëndësishëm”, nënvizoi ajo.
Për zbatimin e procesit të vetingut, Caca Nikollovska thotë se nuk mund të merret si bazë procesi i zbatuar në një vend tjetër dhe të aplikohet si atje, pasi që siç shprehet ajo, çdo shtet i ka specifikat e veta.
Javë më parë edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë ka deklaruar se partia që ai drejton prej vitesh po kërkon veting gjithëpërfshirës, nga pushteti lokal deri në atë qendror.
Propozim ligji i BDI-së për veting parasheh themelimin e agjencisë për kontroll të bartësve të funksioneve dhe kandidatëve për bartës të funksioneve, zgjedhjen e një trupi rregullator në Parlament, i cili do të bëjë vetingun e politikanëve, bartësve të funksioneve publike, gjykatësve, prokurorëve.
Ky ligj po ashtu parasheh kontrollin e të gjithë bartësve aktualë të funksioneve, por edhe të gjithë atyre që kandidojnë për funksione, para se të zgjidhen, dhe botimin publik të një certifikate me informacione të plotë për secilin kandidat.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka bërë thirrje për transparencë totale të institucioneve dhe organeve të shtetit ndaj qytetarëve.
“Vetëm një ligj i tillë është garanci për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit”, ka deklaruar Grubi.
Sipas propozuesit të ligjit, ky hap garanton transparencë dhe informacion të plotë për qytetarët mbi secilin kandidat për bartës të funksionit, para se ata të zgjidhen dhe ndalon propagandën, lajmet e rreme dhe shpifjet. Përmes këtij ligji dhe kontrollit të integritetit dhe dinjitetit të mbajtësit dhe kandidatit për poste publike, synohet parandalimi i korrupsionit, krimit, shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe reputacionit të institucionit.(Indeks.mk)