Shkëndijat mes Diego Simeones dhe Vinicius në Superkupën e Spanjës, panë edhe Çabi Alonson si protagonist kur sulmuesi u zëvendësua dhe iu drejtua trajnerit argjentinas. Ishte pikërisht trajneri i Realit ai i cili protestoi i pari për provokimet e Simeones dhe pas ndeshjes bëri të qartë se nuk i kishte pëlqyer sjellja e tij.
“Nuk më pëlqeu momenti. “Çolo” tha dickka dhe këto gjëra kalojnë frymën që duhet të kesh mes miqve. Nuk më pëlqen që t’i thuhen këto gjëra shokëve. Jo gjithçka është e lejueshme. A folëm? Unë fola me Vinicius dhe mbetet mes nesh”, tha Alonso për “Movistar” pas sfidës, para se të shfaqej në konferencë për mediat dhe të fliste përsëri rreth kësaj teme.
“Unë mundohem të tregoj respekt ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar dhe nuk kam zakon t’u drejtohem. Kur pashë atë që i ka thënë, më pëlqeu edhe më pak. Ky nuk është shembulli i një sportisti të mirë. Jo çdo gjë është e lejueshme, duhet të kesh respekt për një rival. Ajo që ndodh në fushë ka një limit”, ishin fjalët e spanjollit për episodet në fjalë.


